Arbëri

MAPL-ja nuk e lë Komunën e Podujevës t’i dhurojë drutë e konfiskuara

Foto: Koha

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) e ka rrëzuar vendimin e Komunës së Podujevës për dhurimin e 345 m3 dru për familjet në nevojë.

Ministria ka vlerësuar se ky vendim është në kundërshtim me legjislacionin në fuqi dhe se drutë e konfiskuara mund të shiten vetëm me ankand publik dhe jo të falen. Komuna e Podujevës kishte tentuar disa herë që ta shesë këtë masë drusore, por pa sukses.

“Kuvendi Komunal i Podujevës në bazë të propozimit të Drejtorisë për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural, ka marrë vendim që 345m3 dru zjarri të konfiskuara nga Sektori përkatës i DBZHR-së në asistimin e Policisë së Kosovës, nga dëmtuesit e pyjeve, të cilat ndodhen në depon e përkohshme në fshatin Peran t’u lejohet shpërndarja familjeve me gjendje të rëndë ekonomike”, ka thënë zëdhënësi i Komunës së Podujevës, Fatri Zhitia. “Vendimi i Kuvendit pas shqyrtimit nga MAPL është vlerësuar se është në kundërshtim me dispozitat e legjislacionit në fuqi dhe se si i tillë mund të prodhojë efekte juridike”.

Ndërkohë, Komuna e ka nënshkruar një kontratë për shitjen e një mase drusore, por sipas zëdhënësit Zhitia, kjo nuk është pjesë e atyre 345 m3.

“Kontrata e nënshkruar më 29 mars për shitjen e masës drunore që gjendet në depon në fshatin Peran, është për shitjen e masës drunore-dru teknik dhe jo për dru zjarri siç bëhej fjalë në vendimin e Kuvendit, dhe rrjedhimisht masa e drunjve që janë shitur është në harmoni me masën totale dru teknik të ndodhur në depo”, ka theksuar zëdhënësi i Komunës së Podujevës.