Të enjten protestohet në Ferizaj kundër zhdukjes së qenve

Të enjten në qytetin e Ferizajt do të mbahet protestë kundër zhdukjes së qenve, ka njoftuar Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve. Kjo OJQ shkruan se Komuna e Ferizajt ka ndarë 89 mijë euro për t'i trajtuar 1.300 qen endacakë gjatë vitit të kaluar, ndërsa nuk ka pranuar të bashkëpunojë në monitorim.
“Komuna nuk ka pranuar bashkëpunimin me organizatën tonë dhe ka refuzuar kërkesën tonë për monitorim. Qysh në fillim të këtij projekti, kemi pranuar po ashtu nga aktivistë të shumtë në rajonin e Ferizaj, që qentë për të cilët ata kujdeseshin çdo ditë, po zhdukeshin dhe nuk ktheheshin më. Këtu lind dyshimi që qentë ose janë vrarë ose janë lëshuar në një vend tjetër shumë larg vendeve ku janë kapur. Që të dyja këto dyshime paraqesin veprime të kundërligjshme dhe këtë pikërisht dëshirojmë të kuptojmë nga Komuna e Ferizaj me anë të kësaj proteste”, thuhet në komunikatë.
