Arbëri

QKMF e Malishevës e mohon se shtetasi i Serbisë ka vdekur në këtë qendër

Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Malishevë (QKMF) e ka mohuar se shtetasi i Serbisë ka vdekur në emergjencën e kësaj qendre, ashtu siç thuhej sot në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës.

Kështu ka thënë për KOHËN të shtunën, drejtori i QKMF-së në Malishevë, Afrim Krasniqi.

"Një qytetar nga Novi Pazari ka ardhur në QKMF me gjendje të rëndë, e ka sjellë shefi i tij, ka patur infarkt në zemër, por nuk ka vdekur në QKMF", ka thënë drejtori i QKMF-së së Malishevës.

"Kam qenë vetë prezent dhe jam i sigurt në këtë që po them, nuk ka vdekur në Malishevë, ai ka hyrë i gjallë dhe ka dalë i gjallë nga QKMF-ja, ne e kemi dërguar me autoambulancë në QKUK-Prishtinë", ka shtuar ai.

Megjithatë Krasniqi ka thënë se pasi është ditë pushimi, nuk mund ta verifikojë nëse personi në fjalë mund të ketë vdekur rrugës për në QKUK.

Ndërkohë, në raportin e Policisë së Kosovës thuhet se shtetasi serb ka vdekur në Malishevë.

“Është raportuar se një mashkull shtetas i Serbisë ka ndërruar jetë pasi është dërguar në emergjence në gjendje të rëndë shëndetësore. Me urdhër të prokurorit trupi i pa jetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion. Rasti vazhdon të hetohet”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Sipas të dhënave të Urgjencës në QKMF-në e Malishevës, të cilat i ka parë KOHA, gjatë mëngjesit të së premtes, rreth orës 07:35 aty është dërguar për ndihmë mjekësore shtetasi i Serbisë, Muhamed Bahtijareviq, një boshnjak i Novi Pazarit.

Përgjegjësi i ndërrimit në Urgjencë, mëngjesin e së shtunës ka njoftuar për KOHËN se rasti nuk është regjistruar si vdekje.

Burime nga Malisheva kanë bërë me dije për se i ndjeri ka qenë furnizues me mallra të ndryshme për lokale tregtare në Malishevë. Ai të premten ka sjellë mall në Malishevë dhe papritmas i është përkeqësuar gjendja shëndetësore, e cila ka rezultuar fatale për të.