Arbëri

Opozita në Lipjan kërkon përgjegjësi institucionale për vdekjen e 56-vjeçarit

Gjithë seanca është përcjellë me kritika e kundërkritika ndërmjet pushtetit dhe opozitës. Këshilltarët nga radhët e opozitës kanë kërkuar përgjegjësi institucionale lidhur me rastin. Është kërkuar gjithashtu që të kthehet në punë mjeku, i cili ishte suspenduar të shtunën pas publikimit të një videoje nëpër media, ku ai dëgjohej tek u thoshte pacientëve se nuk funksionon aparatura e EKG-së

Këshilltarët e Kuvendit Komunal në Lipjan kanë debatuar të enjten për më shumë se dy orë rreth rastit të vdekjes së një 56-vjeçari nga Dobraja e Lipjanit, për të cilin rast opozita dhe dëshmitarët kishin ngritur dyshime ditë më parë për mosofrimin e shërbimit të duhur mjekësor në Emergjencën e Lipjanit.

Gjithë seanca është përcjellë me kritika e kundërkritika ndërmjet pushtetit dhe opozitës.

Këshilltarët nga radhët e opozitës kanë kërkuar përgjegjësi institucionale lidhur me rastin. Është kërkuar gjithashtu që të kthehet në punë mjeku, i cili ishte suspenduar të shtunën pas publikimit të një videoje nëpër media, ku ai dëgjohej tek u thoshte pacientëve se nuk funksionon aparatura e EKG-së.

Sipas drejtuesve të Shëndetësisë në Lipjan, videoja ishte motivuar nga opozita dhe nuk kishte të bënte me rastin e vdekjes së 56-vjeçarit, por të një pacienti tjetër.

Alban Salihu, kuvendar nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë se e kanë thirrur këtë seancë për ta përsëritur qëndrimin se në shëndetësi vazhdon të jetë gjendje e rëndë.

“Kjo gjendje kulmoi të shtunën e 5 shkurtit, me rastin e vdekjes së qytetarit, të cilit nuk iu ofrua shërbimi mjekësor, si pasojë e mungesës së stafit, përkatësisht mjekëve dhe mosfunksionimit të pajisjeve vitale për rastet e tilla”, ka thënë Salihu.

Sipas tij, ky nuk ishte rasti i vetëm kur qytetarët kthehen prapa, me justifikimin e mosfunksionimit të pajisjeve. Ai rastin e së shtunës së shkuar e ka cilësuar të papranueshëm.

“Rrjedhimisht kërkohen disa përgjigje dhe disa përgjegjësi. Si është e mundur që urgjenca të lihet pa asnjë mjek. Si është e mundur që asnjë ambulantë të mos ndodhet aty. A e dini kaosin që ka mbretëruar paraditen e së shtunës në Urgjencë. Pastaj, pse është suspenduar mjeku i QKMF-së për punën në Urgjencë. Pse të suspendohet mjeku që pastaj edhe është linçuar, vetëm pse ka deklaruar me të drejtë që EKG-ja nuk funksionon”, ka thënë Salihu.

Ai ka theksuar se mosfunksionimi i EKG-së është dëshmuar edhe nga qytetarët e tjerë, të cilëve atë ditë i është kërkuar që ky shërbim të kryhet në ndonjë qendër private shëndetësore.

“Veprimi i suspendimit të mjekut nga drejtori i Shëndetësisë a është veprim në panik apo veprim si pasojë e mosraportimit të drejtë nga hierarkia e QKMF-së. Unë mendoj që nga të dyja këto. Panik sepse me suspendimin e mjekut është tentuar të kamuflohet ky skandal, si dhe mosraportim i drejtë nga hierarkia e QKMF-së për t’i ikur përgjegjësisë që ju takon. Shëndetësia në Lipjan, për këtë ekzekutiv nuk ka qenë asnjëherë prioritet. Sepse prioritet ka qenë vetëm ndriçimi, ka qenë vetëm asfalti”, ka thënë ai.

Arsim Jashari, shef i Grupit të kuvendarëve nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, ka thënë se keqmenaxhimi po mundohet që të mbulohet me suspendimin e një mjeku.

“Emërimet politike dhe jomeritore ju sjellin para këtyre situatave. Kur emëroni politikisht mos prisni menaxhim të mirë. Reflektoni se nuk qeveriset me perandor në demokraci. Kjo seancë e jashtëzakonshme nuk është thirrur për të bërë politikë, por nga kërkesat dhe ankesat e shumta të qytetarëve, të cilët me të drejtë janë të revoltuar. Dhe po ndihen të pasigurt për mosmarrjen e trajtimit shëndetësor adekuat”, ka kritikuar Jashari.

Në anën tjetër, Shkëlzen Hajdini, drejtor i Shëndetësisë në Komunën e Lipjanit, ka thënë se videoja e publikuar të shtunën ishte e motivuar politikisht nga opozita dhe nuk ka të bëjë me rastin e vdekjes së 56-vjeçarit.

“A pasqyrohet një gjendje e shëndetësisë në Lipjan me këto incizime, me këtë video-incizim dhe ndoshta me disa video-incizime të tjera. A tentohet të manipulohet opinioni i gjerë me një video-montazh, me një montim të një titulli në një video, e cila nuk kishte të bënte me rastin e pacientit, i cili ka ndërruar jetë. A tentohet të përfitohet ndonjë poen politikisht duke luajtur me këtë ngjarje të kësaj familjeje, apo kjo seancë e ka për qëllim ta avancojë shërbimin mjekësor në Komunën e Lipjanit. Unë nuk pretendoj se jemi perfektë, por nuk them se jemi nën nivelin e dhënies së shërbimeve mjekësore në nivel të vendit”, ka thënë Hajdini.

Ndërkaq, Imri Ahmeti, kryetar i Komunës së Lipjanit, ka dhënë sqarime, duke u bazuar në raportet e organeve të Policisë së Kosovës. Ahmeti ka theksuar se organet kompetente janë duke e trajtuar rastin dhe se deri më tani janë marrë deklaratat edhe nga disa familjarë, të cilët e kanë dëshmuar se familjari i tyre nuk ka ndërruar jetë si pasojë e mungesës së shërbimeve mjekësore.

Sipas tij, kushdo që dëshiron ta vërtetojë mund të shkojë në QKUK dhe ta shikojë se i ndjeri e ka pasur të kryer EKG-në në Lipjan.