Arbëri

Vdekja e 56-vjeçarit në Lipjan, opozita akuzon pushtetin për dështim

Skandaloze e ka quajtur opozita rastin e ndodhur me vdekjen e një 56-vjeçari nga Dobraja e Lipjanit gjatë ditës së sotme. Ata kanë akuzuar për dështim pushtetin e udhëhequr nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Lëvizja Vetëvendosje në Lipjan përmes një reagimi kanë thënë se përgjegjësi për këtë rast duhet të japë Komuna e jo mjeku. Sipas tyre, nëse nuk kanë punuar pajisjet, mjeku nuk është fajtor.

“Sot, mediat raportuan për një skandal në Qendrën e Mjekësisë Familjare, ku një pacienti nuk ju ofrua shërbimi i nevojshëm mjekësor. Nga siç shihej në video, pacienti që paraprakisht kishte kërkuar shërbime në emergjencë, atje ju kishte thënë se nuk punon aparati i EKG-së. Pastaj i njëjti ishte drejtuar për në ambulantën e mjekësisë familjare ku edhe aty ju kishte thënë që nuk punon pajisja e EKG-së. Ndërkohë, Komuna e paska suspenduar mjekun. Para se të suspendohej mjeku, Komuna dhe menaxhmenti i QKMF-së duhet me dhanë përgjigje për krejt rastin e sidomos se pse nuk kanë funksionuar pajisjet e EKG-së. Nëse nuk kanë punu pajisjet, mjeku nuk është fajtor, por menaxhmenti e komuna. Nëse sot dikush është dashtë të largohet, ai është drejtori i QKM-së. Për këtë rast duhet të përfshihet prokuroria dhe të zbardhet deri në fund”, thuhet në reagimin e tyre.

Ndërkaq, Partia Demokratike e Kosovës ka thënë se kryetari Imri Ahmeti dhe drejtori i Shëndetësisë në Lipjan “duhet të japin dorëheqje morale pas këtij skandali”.

“Si ka mundësi që EKG-ja si metodë diagnostikuese bazike për diagnostifikimin e problemeve akute e kronike të zemrës të jetë jashtë funksionit në QKMF në Lipjan? Është e papranushme e pajustifikueshme nga menaxhmenti drejtues. E pafalshme dhe e papranueshme është humbja e jetës së njerëzve për shkaqe të tilla. Kryetari dhe drejtori i shëndetësisë kishte me qenë mirë t’a mendojnë dorëheqjen morale, sepse nesër mund të jenë edhe ata të cilët do mund të kërkojnë një ndihmë të tillë, nuk mundet secili qytetar i Lipjanit t’i ndjek këto shërbime në ordinanca private sepse ato kushtojnë, ndërsa në QKMF nuk funksionojnë. Duhet një reflektim i menjëhershëm i institucioneve lokale. T’ua rikujtojmë që ky nuk është skandali i vetëm, pikërisht nga këta edhe paratë e ndara për pandemi janë harxhuar në rrugica për asfaltim. Ky është niveli se sa me rëndësi është shëndeti i qytetarëve të komunës për këtë ekzekutiv”, ka shkruar PDK-ja në një reagim.

Të shtunën, KOHA raportoi për vdekjen e një 56-vjeçari nga Dobraja e Lipjanit e për vdekjen e të cilit u ngritën dyshime se s’i janë ofruar shërbimet mjekësore në emergjencë. KOHA publikoi një video në të cilën dëgjohet mjeku duke iu thënë pacientëve se ka mungesë të pajisjes. E kundërta u tha nga autoritetet mjekësore. Pas kësaj, Drejtoria e Shëndetësisë e suspendoi mjekun e përgjithshëm Faruk Gashi nga detyra për “deklarime të rreme”.