Mjeku Faruk Gashi është suspenduar nga puna në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Lipjan pasi nuk u kishte shërbyer pacientëve në këtë qendër duke u thënë të shtunën se EKG-ja është jashtë funksionit. Sipas Drejtorisë së Shëndetësisë, deklarimi i Gashit ka qenë i rrejshëm.
Të shtunën, KOHA raportoi për vdekjen e një 56-vjeçari nga Dobraja e Lipjanit e për vdekjen e të cilit u ngritën dyshime se s’i janë ofruar shërbimet mjekësore në emergjencë. KOHA publikoi një video në të cilën dëgjohet mjeku duke iu thënë pacientëve se ka mungesë të pajisjes. E kundërta u tha nga autoritetet mjekësore.
“Drejtori i Drejtoratit të Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Shkelzen Hajdini ka suspenduar nga puna mjekun Faruk Gashi, mjek i përgjithshëm. Pas konstatimit nga Drejtori QKMF-së dhe Shefi i Urgjencës në Lipjan se ekziston aparatura e nevojshme dhe EKG është në funksion si në QKMF ashtu edhe në Urgjencë, është suspenduar mjeku Faruk Gashi, mjekë i përgjithshëm, për shkak të neglizhencës dhe papërgjegjësisë kur ai deklaron rrejshëm se EKG është jashtë funksionit”, thuhet në njoftim të Komunës së Lipjanit.
Njoftimi thotë se rasti do të vazhdojë në procedura të rregullta ligjore.
“Askush nuk do të tolerohet që për arsyeje të neglizhencës, papërgjegjësisë ose arsyeje tjera të sillet papërgjegjshëm ndaj pacientëve”, thuhet në njoftim.