12 shkolla në mësim online në Ferizaj, 517 nxënës e 112 mësimdhënës të infektuar
12 shkolla në Komunën e Ferizajt momentalisht kanë kaluar në sistemin e mësimit online si pasojë e përhapjes së mëtejshme të COVID-19.
Me këtë rast edhe numri i nxënësve të cilët janë të infektuar me koronavirus në këtë komunë është i lartë.
Drejtori i Arsimit në Komunën e Ferizajt, Afrim Llabjani, i ftuar në emisionin SOT të KTV-së, ka njoftuar se 517 nxënës vazhdojnë të jenë pozitivë me COVID-19, e poashtu edhe 112 mësimdhënës.
“Në Komunën e Ferizajt momentalisht kemi 12 shkolla të cilat kanë kaluar në sistemin online, pastaj kemi 517 nxënës të cilët kanë rezultuar pozitivë, kemi 112 mësimdhënës të cilët poashtu janë pozitivë, kemi 12 punëtorë teknikë dhe të stafit tjetër. Nga dita e sotme kemi edhe një çerdhe e cila është mbyllur si pasojë e përhapjes së COVID-19. Nuk kemi ndonjë shpresë se do të kalojë shpejt së paku gjatë këtyre ditëve, vështirësia ka ardhur nga java e kaluar dhe pritet të shohim gjatë kësaj jave se cilat janë masat që do t’i ndërmarrim nga drejtoria e arsimit në bashkërendim me shkollat”.
Llabjani në këtë intervistë ka njoftuar gjithashtu se kjo drejtori e komunës është duke bashkëpunuar me Policinë e Kosovës për aksione nëpër shkolla në mënyrë që të parandalohen problemet që mund të hasen.
“Ne kemi bashkëpunuar me Policinë e Kosovës me të cilën jemi dakorduar që të ketë një aksion. Ky aksion nëpër shkolla ka rezultuar pozitivë në një formë sepse kanë arritur t’i parandalojnë disa situata që kanë mundur të rezultojnë jo të kënaqshme. Ne në vazhdimësi po punojmë me Policinë e Kosovës për të arritur një qasje më të mirë dhe për të pasur një siguri sa më të madhe në shkollë”.