Arbëri

Vlerësohet i kundërligjshëm vendimi i Kuvendit të Prizrenit për miratimin e buxhetit

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka kërkuar nga organet komunale të Prizrenit që ta rishqyrtojnë vendimin rreth miratimit të buxhetit për vitin 2022. Kjo kërkesë nga opozitarët është vlerësuar si ogur i keq për fillimin e mandatit të koalicionit qeverisës komunal. Por zyrtarët e ekzekutivit lokal kanë pohuar se bëhet fjalë vetëm për çështje procedurale

Vendimi i Kuvendit të Komunës së Prizrenit për miratimin e buxhetit komunal për vitin 2022 është vlerësuar i kundërligjshëm nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal. Sipas shkresës së nivelit qendror, ky akt është dashur që fillimisht të shqyrtohet në Komitetin për Politika dhe Financa.

Anëtarët e këtij kuvendi tek në seancën e mbajtur të enjten kanë votuar për themelimin e Komitetit për Politikë dhe Financa, si dhe për themelimin e Komitetit për Komunitete.

Kërkesa e MAPL-së për rishqyrtimin e vendimit për miratimin e buxhetit komunal, nga opozitarët është vlerësuar si ogur i keq për fillimin e mandatit të koalicionit qeverisës.

“Po del që nëse fillojmë me vendimet e para të na kthehen nga MAPL-ja si të paligjshme, ishalla kjo qeverisje ka ndonjë rrugëtim më të hairit, sepse qysh në start të fillohet me paligjshmëri dhe me kthim të buxhetit komunal”, ka thënë Karanfil Haxhillari nga Lëvizja Vetëvendosje.

Kritika ka adresuar edhe Lidhja Demokratike e Kosovës.

“Janë bërë gati 5 muaj që Komuna jonë nuk e ka aprovuar projektbuxhetin. Edhe pse në seancën e jashtëzakonshme kaloi, është aprovuar, tani së fundmi kuptuam që buxheti është kthyer”, ka theksuar Qemal Krasniqi nga radhët e LDK-së.

Lidhur me komentet e opozitarit Haxhillari është përgjigjur nënkryetari i Komunës, Kujtim Gashi, duke theksuar se MAPL-ja nuk i ka kontestuar afatet ligjore për miratimin e buxhetit.

“Ti dhe unë jemi shtyrë në debat a kemi të drejtë ligjore për ta miratuar buxhetin. Unë kam thënë po, ti ke thënë jo. Ministria ka thënë kemi të drejtë, por ka kërkuar që i njëjti buxhet të kalohet për shqyrtim edhe në KPF, të cilin ne nuk e kemi të themeluar deri më sot”, ka bërë të ditur Gashi.

Kuvendi i Prizrenit më 31 dhjetor të vitit 2021 e kishte miratuar buxhetin komunal për vitin 2022, në vlerë prej rreth 50 milionë eurosh.

Por MAPL-ja, pas vlerësimit, ka bërë të ditur se propozim-vendimi për buxhetin së pari duhet të shqyrtohet në KPF, dhe vetëm më pas të shkojë për miratim në Kuvendin e Komunës.