Arbëri

Bedri Hamza infektohet për herë të dytë me COVID-19

Foto: Ilustrim

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Bedri Hamza, ka rezultuar i infektuar me COVID-19.

Lajmin për infektimin e tij e dha vetë Hamza nëpërmjet një postimi në Facebook, ku tha se pas testimit, sot për herë të dytë ka dalë pozitiv me koronavirus edhe pse ishte i vaksinuar me të dyja dozat e vaksinës.

Hamza më tej njoftoi se është vetizoluar dhe aktivitetet e tij prej kryetari të komunës është duke i vazhduar nga shtëpia.

“Edhe pse i vaksinuar me dy dozat e vaksinës, pas shfaqjes së disa simptomave të lehta, jam testuar dhe kam rezultuar për herë të dytë pozitiv me Covid-19. Jam në vetizolim dhe aktivitetet jam duke i vazhduar nga shtëpia, në koordinim me nënkryetarin dhe drejtorët komunalë”, ka njoftuar Hamza.

Të dhënat e Ministrisë së Shëndetësisë njoftojnë se vetëm përgjatë 24 orëve të fundit, 2.050 qytetarë kanë rezultuar pozitivë me COVID-19 nga gjithsej 9.194 testime të kryera.