Arbëri

Prizreni vazhdon afatin e aplikimit për subvencionim të lehonave deri në fund të janarit

Komuna e Prizrenit ka marrë vendim për vazhdimin e afatit të aplikimit për mbështetjen financiare të lehonave, fëmijët e të cilave kanë lindur gjatë vitit 2021.

Për këtë lloj të subvencionimit prindërit duhet t’i dorëzojnë dokumentet e kërkuara deri më 31 janar 2022, në administratën komunale.

Zyrtarët komunalë, pas mbledhjes së Ekzekutivit lokal kanë sqaruar se afati për aplikim është vazhduar me qëllim që mbështetja të ofrohet për të gjithë të porsalindurit gjatë vitit 2021.

“Në konsultim me kryetarin dhe gjithë personat kompetentë për këtë çështje kemi menduar se duhet patjetër që pagesa të bëhet edhe për fëmijët e porsalindur pas datës 19 nëntor, kështu që e kemi zgjatur afatin", tha Jona Hoxhaj, zyrtare për Marrëdhënie me Publikun në Komunën e Prizrenit.

Komuna në nëntor të vitit të shkuar pati publikuar listën preliminare të përfituesve për fëmijët e lindur gjatë vitit 2021, ku figuronin mbi 1.500 përfitues, me vlerën totale të subvencionimit prej 456 mijë eurove.


“Gjithsejtë aplikime kanë qenë 1,516. Prej tyre për 1,513 është ekzekutuar pagesa, po flasim deri më datën 19 nëntor. Tre të tjera gjithë dokumentacioni është në rregull, por ka pasur probleme në ekzekutimin e pagesave, me të cilën çështje është duke u marrë Drejtoria e Financave me shiku se cili ka qenë problemi i mos ekzekutimit të këtyre 3 pagesave”, tha Hoxhaj.

Vendimi i Kuvendit të Prizrenit për lejimin e ndarjes së mjeteve financiare për fëmijët e porsalindur ishte miratuar më datë 21 maj 2021.

Ky vendim ishte kthyer prapa për rishqyrtim nga niveli qendror, me arsyetimin se është i kundërligjshëm.

Në shtator 2021, Kuvendi i Prizrenit pati miratuar vendimin për rialokimin e rreth 2.5 milionë eurove të pashpenzuara nga investimet kapitale, e cila vendimmarrje pati mundësuar ndryshimin dhe plotësimin e vendimit për lejimin e subvencionimit të lehonave.

Bazuar në këtë vendim, shuma për pagesë është sipas radhës së lindjes së fëmijës, ku për fëmijën e parë të lindur në vitin 2021 ndahet shuma financiare prej 250 eurove, për fëmijën e dytë të lindur në vitin 2021 ndahet shuma financiare prej 300 eurove, dhe për fëmijën e tretë e tutje të lindur në vitin 2021 ndahet shuma financiare prej 350 eurove.