Arbëri

Totaj i bindur se do ta sigurojë shumicën për vendimmarrje në Kuvend

Lidershipi komunal i Prizrenit ka vlerësuar se me qasje konstruktive do të arrijë shumicën për vendimmarrje në Kuvendin e Komunës. Pas emërimit të drejtorëve, një kuvendar i PDK-së ka dhënë dorëheqje, teksa qëndrimin në opozitë e ka konfirmuar edhe KDTP-ja

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, të mërkurën ka shprehur bindjen se koalicioni qeverisës lokal do ta sigurojë shumicën në Kuvendin e Komunës, pavarësisht largimit të një kuvendari të PDK-së dhe qëndrimit të KDTP-së në opozitë. Ai ka theksuar se përkundër këtyre zhvillimeve, do të angazhohet për dialog me grupet e ndryshme të kuvendarëve me qëllim që të miratohen politikat publike që janë në interes të qytetarëve.

"Jam optimist se do të kemi vota të mjaftueshme për t’i votuar projektet të cilat janë me interes për zhvillimin e qytetit të Prizrenit. Mendoj se me bashkëpunim, me bisedime, me një qasje konstruktive nuk do të mungojë gatishmëria e asamblistëve për t’i votuar çështjet e rëndësishme për të ardhmen e qytetit tonë", ka thënë Totaj.

Kreu i Prizrenit të martën ka emëruar 11 drejtorë nga 13 sa i ka Ekzekutivi lokal. Në të njëjtën ditë, kuvendari nga radhët e PDK-së, Kastriot Krasniqi, ka njoftuar se ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga ky subjekt politik dhe se do të jetë anëtar i pavarur në organin më të lartë lokal. Ndërkohë edhe dega e KDTP-së përmes një komunikate ka bërë të ditur se këtë herë do të shkojë në opozitë, pasi që ky ka qenë edhe qëndrimi i kryetarit të partisë.

Ndërkaq të mërkurën është mbajtur takimi i parë i Ekzekutivit komunal, pas të cilit Totaj ka prezantuar ekipin e tij qeverisës.

“Mundem me ju thënë që është një klimë e mirë dhe një atmosferë e cila premton zhvillime të mira në të ardhmen. Jam optimist se tani do të fillojmë në mënyrë direkte t’i adresojmë edhe shumë nevoja, edhe shumë çështje, të cilat qytetarët i kanë ngritë në kohë”, ka deklaruar Totaj.

Ai ka pohuar se dy drejtorët e tjerë do të emërohen së shpejti, pas konsultave shtesë. Në të njëjtën kohë ka shtuar se shumica e drejtuesve të dikasterëve lokalë plotësojnë kriteret e caktuara nga ai për emërim.

"Sa u përket kritereve që ne i kemi prezantuar, në shumicën e rasteve besoj që i plotësojnë. E kemi një rast që ndoshta mund të jetë në disproporcion, te drejtoresha e Shëndetësisë, mirëpo ka qenë një kompromis që është dashur të bëhet, sepse politika funksionon edhe përmes kompromiseve. Besoj se në bashkëpunim me stafin do të ketë një performancë të mirë”, ka pohuar Totaj.

PDK-ja në Prizren ka lidhur marrëveshje koalicioni me AAK-në dhe Nismën, të cilat subjekte në Ekzekutiv përfaqësohen me nga 3 drejtorë secila. Nga 11 drejtorët e emëruar në Prizren, 5 janë gra.