Arbëri

Zyrtari i PDK-së në Prizren jep dorëheqje: Nuk u pajtova me qëndrimet e partisë

Kastriot Krasniqi, anëtar i Kuvendit Komunal dhe i Këshillit Drejtues, dega në Prizren, njëherësh edhe anëtar i Partisë Demokratike të Kosovës, ka dhënë dorëheqje nga të tri pozitat këtë të martë.

Nëpërmjet publikimit në Facebook, të letrës me të cilën I është drejtuar kryetarit të degës së partisë në Prizren, Shaqir Totajt, Krasniqi ka bërë të ditur se arsyet janë të shumta për këtë dorëheqje.

“Arsyet janë të shumta që kam marrë këtë vendim, por thjeshtë nuk mundem që të pajtohem më qëndrimin e subjektit politik ndaj ngjarjeve të fundit që ndodhën në qytetin e Prizrenit”, thuhet në letrën e Krasniqit.

Ai tha se Partinë Demokratike të Kosovës e shihte si një mundësi për arritjen e aspiratave dhe qëllimeve të përbashkëta.

Derisa njoftoi se nga e marta do të jetë asamblist i pavarur në Kuvendin Komunal të Prizrenit ai falënderoi anëtarësinë e PDK-së në Prizren për përkrahjen dhe besimin e dhënë deri më tani.