Xheladini e Shabani pajtohen për tranzicionin e lehtë të pushtetit në Dragash

Xheladini e Shabani pajtohen për tranzicionin e lehtë të pushtetit në Dragash
Kryetari i sapo zgjedhur i Komunës së Dragashit, Bexhet Xheladini ka bërë të ditur se ka pranuar telefonatë urimi nga kryetari i deritanishëm, Shaban Shabani, me ç’rast janë dakorduar edhe për pranim-dorëzimin e detyrës në afat optimal. Sipas tij, gjatë bisedës ka pas zotime edhe për bashkëpunim korrekt në relacionin pozitë-opozitë.
“Sot, kryetari i deritashëm, z.Shaban Shabani, publikisht ka pranuar rezultatet e zgjedhjeve, me ç'rast ka hapur rrugë për certifikimin e rezultatit nga ana e KQZ-së. Z. Shabani, sot gjithashtu më ka telefonuar dhe më ka uruar detyrën e re. Bashkë jemi dakorduar që pas certifikimit të rezultateve, në kohë optimale do të bëhet pranim-dorëzimi i detyrës së kryetarit dhe i stafit të kryetarit. Për të mirën e përgjithshme të qytetarëve tonë, u zotuam për një bashkëpunim korrekt pozitë- opozitë”, ka thënë Xheladini i LDK-së, duke ju drejtuar qytetarëve të kësaj komune në rrjetet sociale.
Ai ka falënderuar ish-kryetarin e Dragashit për qytetarinë e treguar me këtë rast, dhe ka kërkuar sjellje me dinjitet nga qytetarët e aktivistët.
“Qytetarë të nderuar, të nderuar aktivistë , tani zgjedhjet kanë përfunduar. Ju lutem të silleni me dinjitet. Jemi në demokraci dhe në demokraci pushtetet ndërrohen. Tani nuk na duhen fjalë, por punë dhe vetëm punë”, është shprehur Xheladini.
Shabani i PDK-së pranon rezultatin e zgjedhjeve, uron kryetarin e ri të Dragashit
Kryetari i deritanishëm i Komunës së Dragashit, Shaban Shabani ka pranuar rezultatet e zgjedhjeve komunale pas numërimit të fletëvotimeve të ardhura me postë nga mërgata dhe ka uruar kundërkanditin Bexhet Xheladinin e LDK-së, për zgjedhjen në krye të kësaj komune.
“Dje u numëruan fletëvotimet e ardhura me postë nga ana e bashkëatdhetarëve tanë që jetojnë në mërgatë dhe përfundimisht u rivendos rezultati i zgjedhjeve për kryetar të komunës. Si të tillë, këtë rezultat e pranojmë, duke e respektuar kështu, vullnetin e shumicës së qytetarëve si themel i demokracisë, i cili nxjerr fitues kundërkandidatin tim z. Xheladini, të cilin e uroj për zgjedhjen në krye të komunës për mandatin e ri”, ka shkruar Shabani, në rrjetet sociale.
Sipas tij, pavarësisht që vullneti i shumicës së qytetarëve që kanë votuar në këtë komunë ka qenë i mjaftueshëm për të nxjerrë Partinë Demokratike të Kosovës si parti fituese përballë dy subjekteve të tjera opozitare, “sidoqoftë, votat e diasporës qartazi janë shprehur në favor të mbështetjes së opozitës së deritanishme”.
“Në këtë rast, dëshiroj të falënderoj me përultësi të gjithë anëtarët, simpatizantët dhe strukturat e PDK-së – Dega në Sharr, për punën e tyre të jashtëzakonshme, e cila ka nxjerrë suksesshëm partinë tonë si subjekt fitues për 14 vite me radhë, përfshirë edhe këtë mandat, si parti e parë në kuvendin komunal.
Po ashtu, falënderoj edhe partnerët e koalicionit për bashkëpunimin korrekt dhe të sinqertë edhe përgjatë mandatit qeverisës, por edhe në këtë proces zgjedhor”, është shprehur ai.
Duke ju drejtuar qytetarëve, Shabani ka nënvizuar se në jetën demokratike të komunës së Dragashit, ky as nuk ka qenë e as nuk do të jetë procesi i fundit zgjedhor.
“Ne jetojmë pranë njëri-tjetrit dhe bashkëndjejmë me respekt edhe sfidat dhe sukseset e njëri-tjetrit. Prandaj, le të shërbejë ky rast si moment reflektimi për të mirën tonë të përgjithshme, e asesi si pikë e dallimeve e mospajtimeve tona. Partia Demokratike e Kosovës – Dega në Sharr, ka mbështetje të gjerë popullore, gëzon një stabilitet të fuqishëm politik dhe do të ringrihet edhe më fuqishëm përballë betejave zgjedhore e demokratike. Do të qëndrojmë krenarë në opozitë dhe nuk do të mjaftohemi për të kritikuar eventualisht për punët dhe mospunët e ekzekutivit të ri, por duke qenë subjekt me traditë të gjatë institucionale, ne fuqishëm do të ofrojmë edhe alternativën tonë qeverisëse opozitare për ta rikthyer PDK-në në vendin e saj të merituar”, ka theksuar Shabani.
Bexhet Xheladini i LDK-së ka fituar zgjedhjet për kryetar të Dragashit. Ai ka marrë 470 vota nga mërgata, ndërsa kundërkandidati i tij Shaban Shabani i PDK-së 173 vota.
Shaban Shabani ishte duke kryesuar 48 vota, pa numëruar votat me kusht dhe ato nga mërgata.
Fillimisht Xheladini kishte fituar balotazhin pas numërimit të atyre votave me kusht dhe nga diaspora, por votat nga diaspora më pas u vendos të anuloheshin nga PZAP, shkaku i dyshimeve për manipulime. Kështu që u vendos fillimisht për anulim të atyre votave, e më pas u vendos nga Supremja për rivotim të diasporës në Dragash.
Në rivotim Xheladini i LDK-së ka fituar dukshëm më tepër vota nga diaspora dhe rrjedhimisht edhe postin e kryetarit të Dragashit. Me fitoren e Xheladinit, LDK-ja është barazuar me PDK-në me nga tetë komuna.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Fushë-Kosova ekzekuton 320 mijë euro në kategori joadekuate buxhetore

“Për të shmangur politizimin”, s’mbahet një minutë heshtje për Bunjakun

“Rruga e shefit” që përplasi LDK-në e LVV-në në Podujevë

Opozita e quan diskriminues buxhetin e Podujevës e pushteti gjithëpërfshirës

Komuna e Ferizajt në Kornizën Afatmesme Buxhetore 2024-2026 planifikon menaxhim të pandemisë

Inspektorati i Prizrenit sërish me aksion për lirimin e hapësirave publike në “Ortakoll”

Qytetarët e Lipjanit ankohen për kundërmim të ujërave të zeza

Lokalizohet zjarri në Prizren

Dhjetëra shkolla në Ferizaj përfundojnë te përmbaruesi, shkaku i borxheve ndaj KRU “Bifurkacioni”

Komuna e Drenasit punëson 10 mësimdhënës të gjuhës gjermane pa kualifikim

Obiliqi tejkaloi kontratën kornizë dhe shkëputi një tjetër pasi pranoi situacionin e parë
