Arbëri

Nisën aksionin humanitar për ndërtimin e një shtëpie, siguruan mjete për dy sosh

Banorët e fshatit Ngucat në Malishevë para një jave nisën një aksion për ndërtimin e shtëpisë për një bashkëfshatar që kishte kushte të rënda financiare. Megjithatë, vullneti i donatorëve të atyshëm bëri që shumë shpejt të sigurohen mjetet edhe për një shtëpi të dytë.

Dy shtëpitë do të ndërtohen për familjet e dy vëllezërve Guniqi, që s’kishin mundësi financiare për t’i ndërtuar vetë.

“E nisëm aksionin për të ndërtuar një shtëpi por shumë shpejt u siguruan mjetet për ndërtimin e dy shtëpive”, ka treguar për KOHËN, Ibush Zabelaj nga ky fshat.

E tëra ka nisur para rreth një jave dhe tashmë ka nisur ndërtimi i njërës shtëpi.

Kryetari i fshatit Ngucat, Mefail Elshani, ka thënë se gjendja e keqe e familjeve që janë ndihmuar e ka shtyrë atë dhe bashkëvendësit të ndërmarrin aksionin për sigurimin e strehës së banimit për ata.

“Së bashku me hoxhën e fshatit, drejtorin e shkollës e disa të tjerë e nisëm aksionin për një shtëpi, duke e parë gjendjen e rëndë sociale të familjes. Por pasi u siguruan me të shpejtë mjete për më shumë se një shtëpi kërkuam edhe më shumë dhe u siguruan mjetet për dy shtëpi me të cilat e sigurojmë banimin për dy familje që vërtetë kanë nevojë”, ka thënë Elshani.

Amrush Elshani, po ashtu njëri nga organizatorët e aksionit, ka treguar se për 5 orë ishin siguruar rreth 25 mijë euro dhe kjo kishte bërë që të vazhdohet aksioni për sigurimin e ndërtimit të shtëpisë së dytë. Ishte ofruar edhe material ndërtimor e gjësende të nevojshme për shtëpi. Një kontribut të veçantë njoftohet se kanë dhënë mërgimtarët e fshatit.

Ndonëse mot jo shumë i përshtatshëm, të shtunën po punohej në ndërtimin e njërës shtëpi. E kryefamiljari, i cili tash po bëhet me shtëpi, ka thënë për KOHËN se nuk kishte asnjë mundësi ndërtimi të shtëpisë edhe pse kishte shumë nevojë dhe është shprehur shumë falënderues për bashkëfshatarët.

Kryetari i fshatit ka thënë se nëse lejon moti posa të përfundojë shtëpia e parë, do të vazhdojë edhe tjetra. Elshani ka bërë me dije se edhe kompania që e ka marrë përsipër ndërtimin ka bërë një zbritje të dukshme në çmim dhe për këta ai ka thënë se e njëjta kompani do të ndërtojë edhe shtëpinë tjetër.