Kosovë

MMPHI-ja i përgjigjet banorëve në Lipjan për ashensorin në ish objektin e “Feronikelit”

 

Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës i është përgjigjur kërkesës së banorëve që jetojnë në kompleksin banesor në ish objektin e “Feronikelit” në sheshin “Adem Jashari” në Lipjan, pasi që një biznes privat e ka vendosur një ashensor përgjatë mureve të banesave pa pëlqimin e banorëve. Banorët ishin drejtuar edhe Komunë me peticion për t’ia ndërprerë punimet këtij biznesi i cili e kishte privatizuar objektin, mirëpo një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur me arsyetim se pronari i biznesit kishte marrë pëlqim nga administratori i kompleksit banesor. Por, sipas banorëve, ky administrator nuk jeton në të njëjtën hyrje dhe nuk mund t’i përfaqësojë banorët e një hyrje tjetër.

Ndërkohë e Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në përgjigjen e banorëve ka sqaruar se inspektorati i MMPHI-së në inspektimin e zhvilluar në drejtorinë e Inspektoratit në Komunën e Lipjanit si dhe në lokacion është konstatuar se punimet ndërtimore janë duke vazhduar në renovimin e objektit ekzistues të ish-“Feronikelit” si dhe për ndërtimin e ashensorit dhe shkallëve sipas pëlqimeve lëshuar nga DPUMM në Komunën e Lipjanit. “Bazuar në dispozitat e ligjit për ndërtim 04/L-110 neni 14 dhe udhëzimit administrativ 08/2013, konstatohet se për realizimin e punimeve për ndërtimin e ashensorit dhe shkallëve kërkohet pajisje me leje ndërtimore, prandaj punimet nuk mund të realizohen bazuar në pëlqimin nr.8-351-38012 të datës 16.08.2021.