Arbëri

Betohet kryetari i Malishevës, Kastrati: Do të qeverisim bashkë me qytetarët

Kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati dhe anëtarët e Kuvendit Komunal të Malishevës janë betuar sot solemnisht në seancën inauguruese të mbajtur në sallën e mbledhjeve të legjislativit të kësaj komune.

Në seancën inauguruese të Kuvendit, të cilën e ka udhëhequr anëtari më i vjetër Hajdin Berisha, kryetari Kastrati pas betimit në fjalimin përshëndetës, ka thënë se postet dhe detyrat asnjëherë nuk i ka parë si privilegj, por si përgjegjësi.

Fokusi i tij, siç ka thënë ai do të jetë zhvillimi i Malishevës urbane, ndërsa qëllimi i tij, trajtimi i barabartë i qytetarëve të Malishevës.

Ai ka folur fjalë të mira për punën e kryetarit paraprak, Ragip Begajt dhe është zotuar t'i vazhdojë projektet e lëna në gjysmë.

Ai është zotuar se do të bashkëpunojë ngushtë me anëtarët e Kuvendit Komunal, pavarësisht bindjeve politike.

"Betohem se besimin e dhënë nga qytetarët do ta kthej me punë të mirë e me përkushtim në interes të qytetarëve", është shprehur ndër të tjera Kastrati.

Në seancën inauguruese kanë munguar dy anëtarë të Kuvendit Komunal, ndërsa të pranishëm në cilësinë e mysafirëve kanë qenë edhe ish-kryetarët e Malishevës, Daut Krasniqi, Jakup Kastrati e Ragip Begaj.