Arbëri

DFK: Realizimi i projekteve për Podujevën varet se kush do t’i udhëheqë drejtoritë

Sfidë për realizimin e premtimeve elektorale të kryetarit të rizgjedhur të Podujevës, Shpejtim Bulliqi, po shihet ekipi me të cilin do të punojë ai gjatë mandatit katërvjeçar.

Shemsi Jashari, nga Rrjeti i organizatave “Demokracia Fillon Këtu”, ka thënë se premtimet e Bulliqit janë të realizueshme, pasi sipas tij, për projektet që nuk bien direkt në përgjegjësinë e pushtetit lokal, kryetari i Komunës ka marrë mbështetje edhe nga kryeministri Kurti. Por, Jashari ka theksuar se kjo do të varet se kush do të emërohet drejtorë nëpër dikastere.

“Ajo që e pres si sfidë të parë të z. Bulliqit në këtë mandat të dytë të tij është emërimi i një ekipi profesionistësh, të cilët do t’i ketë për drejtorë në dikastere të caktuara, ta bëjë një plan të mirë veprimi me aktivitete të qarta dhe me afate të qarta, që të mund të arrijë me kohë t’i realizojë këto projekte që i ka premtuar në këtë fushatë”, tha Jashari.

Jashari thotë se as në të kaluarën e as gjatë mandatit 10-mujor të Bulliqit nuk ka parë një ekspertizë të tillë nga ekipet qeverisëse. Dhe për shkak të kësaj, sipas tij, ka pasur vonesa e nganjëherë edhe dështim të projekteve.

Në anën tjetër, kryetari i rizgjedhur i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka thënë se do të angazhohen që në fund të mandatit 4-vjeçar t’i ketë të realizuara të gjitha projektet e premtuara në fushatë. Duke folur për projektet që do ta karakterizojnë qeverisjen e tij, ai e ka përmendur ndërtimin e urgjencës së qytetit, ndërtimin e stacionit të autobusëve, parkun industrial, parkingun nëntokësor, spitalin e qytetit, zgjatjen e dy rrugëve; buzë Llapit dhe tjetrën skaj hekurudhës.

“Unë besoj se në vitin e ardhshëm kemi me filluar me Stacionin e Autobusëve, do të fillojmë me Urgjencën e qytetit, do të fillojnë punimet në Parkun industrial, sepse janë projekte më të mëdha dhe nuk do të thotë se do të përmbyllen në vitin 2022, por vazhdojnë, varësisht nga mundësitë buxhetore. Sigurisht se do të fillojmë edhe me rrugët, dy arteriet që i përmenda më herët dhe krejt këto janë projekte që planifikojmë t’i fillojmë dhe të kemi progres për aq sa është e mundshme, për aq sa kemi fonde buxhetore për vitin 2022”, tha Bulliqi.

Ai ka thënë se një pjesë e projekteve do të realizohen edhe nga donacionet e jashtme, pasi për këta 10 muaj thotë se kanë përfituar mbi 2 milionë euro donacione.

Bulliqi në krye të Komunës ka ardhur nga zgjedhjet e jashtëzakonshme, që janë mbajtur për kryetar të Podujevës më 29 nëntor 2020, ndërsa është rizgjedhur më 14 nëntor pas balotazhit të sivjetmë.