Arbëri

Bulliqi për personat në Qendrën e shëndetit mendor: Do të marrin trajtimin e duhur

Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, i ka vizituar dy qytetarë të kësaj komune, të cilët para pak kohësh janë strehuar në Qendrën e Shëndetit Mendor në Shtime. Bulliqi është shprehur i lumtur që këta qytetarë janë akomoduar dhe po marrin trajtimin e duhur mjekësor në këtë Qendër.

“Para pak kohësh i kam vizituar dy pacientët nga Llapi, të cilët i kemi strehuar në Qendrën e Rehabilitimit në Shtime. Bazuar në kushtet jo adekuate në të cilat bënin jetën si pasojë e problemeve serioze shëndetësore, muaj më parë, bëra gjithçka që ishte e mundur që këta qytetarë të qytetit tonë të strehohen dhe të marrin trajtimin e merituar në këtë qendër”, ka shkruar Bulliqi në “Facebook”. “Jam i lumtur që ata sot janë akomoduar mirë, po marrin trajtimin dhe përkujdesjen e duhur profesionale në këtë qendër. Në vazhdimësi do të angazhohem që të gjejmë mundësi për trajtim të tillë edhe të rasteve tjera në komunën tonë”.

Në janar të këtij viti, kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, kishte kërkuar nga drejtori i Qendrës Rajonale të Shëndetit Mendor në Prishtinë, Sami Rexhepi, që personat që kanë probleme mendore të dërgohen për trajtim në Institutin e Shtimes. Gjatë një vizite në Qendrën e Shëndetit Mendor në Podujevë, Bulliqi kishte thënë se rasti i G.C. dhe F.B. janë më të rëndat e atyre që kanë probleme mendore në këtë komunë.

KOHA ka raportuar edhe herë të tjera për F.B. dhe G.C. dhe për persona tjerë me probleme mendore që kanë mbetur pa përkujdesje familjare e institucionale. Në vitin 2017 stafi i Klinikës së Psikiatrisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) nuk e kishte zbatuar urdhrin e Gjykatës Themelore të Prishtinës-Dega në Podujevë për të marrë në trajtim spitalor të sëmuren mentale, F.B. nga Podujeva, me arsyetimin se ka mungesë të shtretërve. Për shkak të bartjes së ushqimeve me vete, të sëmurët mendorë pothuajse çdoherë janë të shoqëruar nga qentë endacakë, të cilët mund të jenë të rrezikshëm për kalimtarët e sidomos fëmijët. Psikiatri në Qendrën e Shëndetit Mendor, Orhan Qerimi, kishte thënë në maj të vitit të kaluar se janë më shumë se 20 persona që refuzojnë të marrin trajtim mjekësor dhe se kjo u lejohet edhe me ligj.

Qerimi ka thënë se ata mund t’i trajtojnë këta persona pavullnetshëm vetëm në rast se shkaktojnë ndonjë incident dhe kjo bëhet me një vendim të gjykatës ose nga një komison prej tre anëtarësh, të cilët e vlerësojnë nëse kjo është e nevojshme. Por, për shkak të mungesës së automjetit, kjo Qendër i kishte ndalë vizitat edhe nëpër shtëpi për t’i trajtuar personat që kanë probleme mendore. Psikiatri ka thënë se në Komunën e Podujevës i ka në trajtim 401 persona me probleme psikike. Por, ky numër sipas tij, mund të jetë edhe më i madh, pasi këtu nuk përfshihen personat që janë të padiagnostikuar.