Arbëri

Në gjimnazin e Pejës nisi vaksinimi i nxënësve

Ekipi mobil i Qendrës së Vaksinimit në Pejë, ka vazhduar të hënën me vaksinimin e popullatës në terren kundër Covid-19.

Kësaj here, në fokus të vaksinimit ishin nxënësit e shkollave të mesme dhe të hënën ekipi mobil u stacionua në gjimnazin “Bedri Pejani”, ku do të qëndrojë gjatë tërë javës.

“Këtë javë jemi në gjimnaz si shkolla më e madhe, e besoj që në bazë të urdhrave do të vazhdojmë edhe në shkollat tjera të mesme”, ka deklaruar Dukagjin Sahatçiu, shef i Qendrës së Vaksinimit në Pejë.

Nxënësja Elsa Zeka, ishte e para që u imunizua dhe tregoi edhe arsyen.

“U vaksinova për të mos infektuat të tjerët dhe me qenë me imunitet të lartë”, tha ajo.

Ndërsa nxënësja Hana Lajçi, ftoi gjithë nxënësit që të marrin vaksinën, pasi sipas saj, tjetër rrugë nuk ka.

“Me marr vaksinën, se sado që doni me i ik, herët a vonë keni me marr, kështu që me marrjen e vaksinës veç e siguroni shëndetin e juaj”, u shpreh Lajçi.

Për vaksinimin e nxënësve në shkollë, siç tha drejtori i gjimnazit Musa Nikqi, paraprakisht kanë biseduar javën e kaluar me prindër dhe nxënës.

“Kemi mbajt një takim informativ me prindër dhe me këshillin e unionin të nxënësve, me këshillin e prindërve dhe me këshillin e shkollës, kemi arritur një pajtueshmëri për ti vaksinuar nxënësit që kanë nevojë dhe që dëshirojnë për tu vaksinuar”.

Me qëllim që të mos e pengojë shumë procesin mësimor, ekipi mobil do të qëndrojë vetëm nga dy orë në gjimnaz dhe të hënën brenda dy orëve, u vaksinuan 41 nxënës”, tha Nikqi.

Image