Arbëri

Haskuka konfirmon marrëveshjen me NDS-në për rundin e dytë zgjedhor

Kandidati për kryetar të Komunës së Prizrenit nga radhët e Vetëvendosjes-së, Mytaher Haskuka të enjten ka bërë të ditur se partia NDS nga radhët e komunitetit boshnjak do t’i ofrojë përkrahje për rundin e dytë të votimeve për të parin e komunës.

“Angazhimit tonë po i bashkohet edhe një parti tjetër. Sot, zëvendëskryeministrja Emilija Rexhepi konfirmoi se do të mbështesë kandidaturën time për kryetar të Komunës. Me këtë rast i falënderoj ata dhe gjithë partitë tjera, të cilët më kanë mbështetur që në rundin e parë”, ka thënë Haskuka, gjatë një konference të mbajtur në zyrat e partisë.

Pos kësaj ai ka theksuar se VV-ja e ka derën hapur për të gjithë ata që duan të bashkëpunojnë me këtë subjekt politik.

“Normal për një numër të asamblistëve do të na duhet bashkëpunimi për të siguruar shumicën”, është shprehur Haskuka.

Ai ka pohuar se që prej përfundimit të rundit të parë zgjedhor, kanë zhvilluar takime me shumë qytetarë, aktivistë të partive tjera, por edhe me drejtues të partive të caktuara.

“Mbetet në vullnetin e tyre kë do ta mbështesin... Ne kemi koalicionin me qytetarët, dhe kjo do të tregohet më datën 14 nëntor”, ka thënë Haskuka.

Haskuka në zgjedhjet e 17 tetorit doli i pari në Prizren me 40.41 për qind të votave. Në balotazh do të përballet me Shaqir Totajn e PDK-së që pati 31.36 për qind të votave. Në rundin e parë dallimi i votave ishte rreth 5500.