Arbëri

Vetëm dy persona me COVID kanë shprehur vullnetin për të votuar në Gjilan

26 persona janë të infektuar me COVID-19 aktualisht në komunën e Gjilanit. Por prej tyre vetëm dy kanë shprehur vullnetin që të votojnë për të parin e kësaj komune.

Kryesuesi komunal zgjedhor, Ferid Shabani konfirmon që të gjitha qendrat në Gjilan janë hapur në kohë dhe se janë të pajisur me materialet sensitive dhe jo sensitive.

"Jemi pajisur në kohën e duhur dhe të gjitha materialet janë transferuar në qendrat e votimit sipas planit operacional të paraparë. Nuk kemi pasur ndonjë problem përveç në një vendvotim që është një mungesë dhe ajo është vonesë qe nuk na ka shkaktuar problem në transport. Është vonesë e një kryesuesi të këshillit të vendvotimit", ka thënë ai për KosovaPress.

Më tej, ai ka bërë të ditur se në Gjilan të drejtë vote kanë mbi 101 mijë qytetarë të cilët kanë mundësi të votojnë në 34 qendra në 120 vendvotime.

"Janë krijuar edhe nëntë ekipe mobile për t’ju ofruar votuesve personave me nevoja të veçanta zgjedhje që nuk kanë mundësi të dalin për të votuar në institucione siç është spitali i Gjilanit dhe personat e hospitalizuar dhe personat me COVID... Numri i të prekurve në komunën e Gjilanit sipas raportit të fundit ka qenë 26 dhe të njëjtit janë kontaktuar se të drejtën e tyre e kanë deklaruar ta shfrytëzojnë vetëm dy prej tyre", shton ai./KSP