Arbëri

Shtimja pa ujë të pijshëm, shkak ndërprerja e energjisë

Prej më shumë se tre ditë banorët e Shtimes dhe fshatrave përreth po përballen me mungesë të ujit të pijshëm. Kjo si pasojë disa defekteve në rrjetin e energjisë elektrike që furnizon sistemin e pompimit. Sipas zyrtarëve të KEDS-it në Shtime, ekipet vazhdimisht po punojnë në terren për të gjetur defektet në sistemin e tensionit të lartë. Ndërkaq rreth kësaj çështje kanë reaguar qytetarët, komuna dhe menaxhmenti i Kompanisë së Ujësjellësit “Prishtina”.

Sabri Çerkini, përgjegjës i Ujësjellësit në Shtime ka thënë se kanë pranuar ankesa të vazhdueshme nga qytetarët për mungesë të ujit, por problemi qëndron tek KEDS-i shkaku i ndërprerjes së herëpashershme të energjisë elektrike.

“Ekipet tona dhe të KEDS-it vazhdimisht janë në terren për ta gjetur defektin sepse siguresa e energjisë elektrike nuk po e përballon ngarkesën si pasojë e një defekti në tensionin e lartëpërçuesve. Ne kemi kërkuar nga KEDS-i që sa më shpjet të rregullohen defektet e tyre sepse sistemi i pompimit të ujit funksionon me rrymë, andaj po bëhen tre ditë që qytetarët po përballen me ndërprerje të ujit”, ka thënë Çerkini.

Ndërkaq, rreth kësaj çështjeje ka pasur edhe reagime të qytetarëve me arsyetim se janë taksapagues të rregullt ndaj ujësjellësit dhe KEDS-it.

“Po bëhen tre ditë që nuk kem ujë e as rrymë, ky është shqetësim i madh për të gjithë qytetarëve. Si mund të jetohet në këtë vend pa infrastrukturë elementare derisa nuk kemi ujë as për pastrim. Ne nuk e dimë ku qëndron problemi, por jemi taksapagues të faturave të energjisë dhe ujit”, është ankuar Naser Beqa, banor nga Shtimja.

Burime brenda KEDS-it në Shtime kanë thënë se brenda ditës pritet të rregullohen defektet në terren.

“Kanë mbetur edhe 4 apo 5 shtylla të tensionit të lartë të cilat do t’i kontrollojmë për ta gjetur defektin. Prej disa ditësh vazhdimisht jemi në terren duke punuar në këtë drejtim. Po besojmë se brenda ditës do ta gjejmë defektin në rrjetin e tensionit të lartë dhe do të rregullohet shumë shpejtë. Pra, mund të ketë sërish ndërprerje të energjisë por jemi duke bërë maksimumin në këtë drejtim”, kanë thënë për KOHËN.

“Komuna me kohë ka kërkuar nga institucionet përgjegjëse që sa më shpejtë t’i rregullojnë defektet në mënyrë që qytetarëve sa më shpejtë t’i kthehet furnizimi i ujit dhe të rrymës. Ndërkaq, zyrtarët komunal vazhdimisht janë në kontakt me të gjitha institucionet përgjegjëse dhe po shpresojmë që defektet e rrymës të riparohen sa më shpejtë”, thuhet midis të tjerash në reagimin e Komunës.