Arbëri

Në Gjakovë ngrohja qendrore nuk lëshohet deri javën tjetër

Ngrohtorja e qytetit të Gjakovës nuk është ndezur sot, në datën kur zakonisht fillon sezoni i ngrohjes, shkaku i disa lejeve dhe procedurave që kërkohen nga niveli qendror.

Albana Skivjani, drejtoreshë e Ngrohtores së qytetit, ka thënë të premten për KOHËN se ngrohja për qytetarët e Gjakovës pritet të fillojë javën tjetër.

"Presim që gjatë javës tjetër të fillojmë", ka thënë ajo pa specifikuar ditën e saktë.

Ngrohja sivjet në Gjakovë për herë të parë do të bëhet me biomasë. Ngrohtorja është bartur në lokacionin e ri në periferi të pjesës veriore të qytetit, ku janë bërë investime milionëshe.

Ngrohtorja e Gjakovës ka 1800-2000 konsumatorë.

Drejtoresha Skivjani ka theksuar se inkasimi i borxheve nga konsumatorët ka qenë në shkallën 98 për qind.

Për ngrohje, qytetarët dhe institucionet po gjejnë forma alternative, në këtë periudhë kur temperaturat kanë rënë ndjeshëm.

Gjok Tahiri, drejtor i Shkollës së Mesme "Hysni Zajmi" në Gjakovë ka njoftuar të premten për KOHËN se në mungesë të lëshimit të ngrohjes nga Ngrohtorja e Qytetit e ka lëshuar ngrohjen alternative në shkollë.

"Ne e kemi të lidhur ngrohjen edhe me ngrohtore edhe me një sistem të pavarur në shkollë dhe e kemi lëshuar këtë të fundit, pasi u bë ftohtë", ka thënë drejtori Tahiri.