Arbëri

Kompanitë e autobusëve në Ferizaj rrisin çmimin e biletave, reagojnë studentët e qytetarët

Kompanitë transportuese të udhëtarëve në Ferizaj, që nga fillimi i kësaj jave kanë rritur çmimet e biletave për rreth 50 për qind në shumicën e linjave, me arsyetime se janë rritur çmimet e derivateve dhe shpenzimet tjera ditore.

Vetëm në relacionin Ferizaj-Prishtinë bileta prej 1 euro për studentë është rritur në 1.50 euro. Ndërkaq për udhëtarët e rregullt nga 2 euro është rritur në 2.50 euro.

Por, një gjë e tillë po kundërshtohet nga qytetarët dhe pikërisht nga studentët, ndërkaq në kompaninë publike “Stacioni i Autobusëve” në Ferizaj, kanë thënë se kompanitë i kanë rritur çmimet pa u konsultuar fare me këtë institucion. Ndërkaq, ligji për mbrojtjen e konkurrencës Nr. 03/L-229, i ndalon marrëveshjet e tilla.

“Ndalohen të gjitha marrëveshjet ndërmjet dy ose më shumë ndërmarrjeve të pavarura, vendimet e marra në mes të shoqatave të ndërmarrjeve dhe praktikat e bashkërenduar, të cilat kanë për qëllim ose mund të ndikojnë në mënyrë të dukshme në çrregullimin e konkurrencës tregtare në tregun relevant e veçanërisht marrëveshjet që: caktojnë, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, çmimet e blerjes ose të shitjes, apo çdo kusht tjetër tregtimi që kufizojnë ose kontrollojnë prodhimin, tregjet, zhvillimin teknik ose investimet ndajnë tregjet ose burimet e furnizimit që zbatojnë kushte të ndryshme për transanksione të njëjta me ndërmarrje të tjera tregtare, duke i vendosur ato në gjendje të pafavorshme konkurruese”, thuhet në ligjin për mbrojtjen e konkurrencës.

Sipas ligjit është e ndaluar edhe kushtëzimi i lidhjes së kontratave qoftë me pranimin nga palët e tjera kontraktuese të detyrimeve shtesë që për nga natyra ose nga përdorimi i tyre tregtar, nuk kanë lidhje me objektin e këtyre kontratave.

Albulenë Çalaj, drejtoreshë e kompanisë publike “Stacioni i Autobusëve” në Ferizaj, nëpërmjet një përgjigje me shkrim ka thënë se ndërmarrja nuk ka vendosur ende për ndonjë ngritje të çmimit të peronizimit, andaj një gjë e tillë ka ndodhur nga kompanitë pa u konsultuar fare me institucionin.

“Kompanitë private të autobusëve kanë ngritur çmimet. Ndoshta mund të kenë arsyet e tyre pasi që janë ngritur çmimet e derivateve dhe mbi atë kontekst kanë bërë edhe këta ndryshimin e çmimit. Dje dhe sot kam pasur ankesa, kryesisht nga nxënësit dhe studentët për ngritje të çmimeve. Nuk është që unë dyshoj për ndonjë marrëveshje ndërmjet kompanive, por besoj që po, pasi që në stacion nuk kanë sjellë ndonjë njoftim për ngritje”, ka thënë shkurt Çalaj.

Lorik Avdiu, student nga Ferizaj, ka thënë se ngritja prej 50 për qind e biletës së autobusit është mjaft shqetësuese dhe e pa përballueshme për studentët e qytetarët. “Ngritja është e lartë, sidomos për ne studentët, që duhet të udhëtojmë rregullisht deri në katër herë në javë gatë vitit akademik në relacionin Prishtinë-Ferizaj dhe anasjelltas. Për mua është barrë e madhe për shkak se jam fëmija i dytë student në një familje që mirëqenien elementare e siguroj prej punës së babait tim taksist. Njëherësh është e padrejtë edhe për faktin se kompanitë janë marrë vesh “tinëz” që t’i ngrisin çmimet, që po besoj se është e kundërligjshme”, ka thënë Avdiu.

Ai ka kërkuar nga agjencia për mbrojtjen e konkurrencës që të marrin masa rreth kësaj “marrëveshje” të kompanive të udhëtarëve në Ferizaj për rritjen e çmimeve.

Koha ka provuar të marrë një deklaratë nga pronarët e kompanive të autobusëve në Ferizaj, por ata nuk kanë dashur të flasin, ndërkohë njëra nga këto kompani nëpërmjet një shkrese ditë më parë ka njoftuar për rritjen e çmimeve.

“Ne si kompani për transportin e udhëtarëve në relacionin Prishtinë-Ferizaj-Prishtinë, ju njoftojmë se që nga data 11.10/2021 çmimi i biletës së udhëtimit do të jetë me ngritje. Kjo ngritje e çmimit, vjen si rezultat i ngritjes së çmimit të derivateve dhe shpenzimeve tjera”, thuhet në njoftim.