Arbëri

Bien kërkesat për vaksinim në Pejë

Në qendrën e vaksinimit kundër koronavirusit në Pejë ka rënë dukshëm numri i kërkesave për vaksinim.

Deri para disa ditësh në këtë qendër çdo ditë janë vaksinuar deri në 1.200 persona. Ky numër ditëve të fundit është përgjysmuar.

“Aktualisht po vaksinohen 500 deri 600 persona brenda ditës”, tregon shefi thotë shefi i Qendrës së vaksinimit në Pejë, Dukagjin Sahatçiu.

Arsye e kësaj rënie të numrit të vaksinimit sipas tij është edhe rënia e numrit të rasteve pozitive dhe njerëzit sipas tij, “janë çliruar pak e nuk po shkojnë të vaksinohen”.

Këto ditë, siç tregojnë në qendrën e vaksinimit, kryesisht po vaksinohen personat me dozë të dytë. Në Pejë deri të premten janë administruar mbi 80 mijë doza, me të cilat sipas Sahatçiut janë vaksinuar me një apo me dy doza mbi 60 për qind e popullatës.

Në këtë komunë siç tha Sahatçiu parashihet të administrohen 150 mijë vaksina, derisa numri rezident i banorëve në këtë komunë saktësisht nuk dihet.

Sipas regjistrimit të fundit të popullatës në vitin 2011 kanë qenë mbi 96 mijë banorë rezidentë, derisa në listën e votuesve në zgjedhjet e përgjithshme në muajin shkurt kanë qenë 105 mijë votues. Mirëpo, asnjëra prej këtyre dy të dhënave nuk tregojnë numrin e vërtetë të banorëve rezident pasi dekadën e fundit me mijëra banorë të kësaj komune kanë ikur jashtë. Ndërsa pas rënies së numrit me Covid-19, këtë javë edhe Spitali i Përgjithshëm i Pejës i është kthyer normalitetit në gjitha repartet e saj. Aktualisht në këtë spital, siç tha të premten drejtori Mjekësor në Spitalin e Pejës, Muhamet Haliti, nuk ka asnjë pacientë të shtrirë me Covid-19. Aktualisht në këtë komunë janë 84 raste aktive me Covid-19, derisa jetën e kanë humbur nga kjo sëmundje 178 persona.