Arbëri

Gjetjet e Auditorit vihen në agjendën e Kuvendit të Prizrenit për diskutim

Descriptive Text

Raporti i auditimit për pasqyrat financiare të Komunës së Prizrenit për vitin 2020 i përpiluar nga Zyra Kombëtare e Auditimit është propozuar që të shqyrtohet në seancën e radhës së Kuvendit të Komunës. Në njoftimin e Komunës së Prizrenit thuhet se pos këtij raporti është propozuar që në këtë mbledhje të diskutohet edhe Plani i veprimit për zbatimin e rekomandimeve të ZKA-së.

“Diskutim rreth raportit të ZKA-së për pasqyrat financiare vjetore të Komunës së Prizrenit për vitin 2020 dhe Planit të veprimit për zbatimin e rekomandimeve”, është njëra prej pikave në rendin e ditës të propozuar nga kryesuesi i KK-së Sulltan Badalli për seancën e caktuar për datën 30 shtator 2021.

Në këtë raport, ZKA-ja ka listuar një varg gjetjesh për parregullsi dhe dobësi lidhur me pasqyrat financiare vjetore të Komunës së Prizrenit.

Auditori ka identifikuar parregullsi gjatë fshirjes respektivisht anulimit të borxheve për mbeturina.

“Komuna gjatë viteve 2016-2020 ka fshirë/anuluar borxhet në vlerë 364,284 euro ndaj 2,397 amvisërive bazuar në kërkesa verbale pa formuar komision për shqyrtimin e ankesave”, thuhet në raport. Gjithashtu është vënë në pah vonesa në pagesën e faturave dhe shpenzimet shtesë të procedurave përmbarimore. “Komuna gjatë vitit 2020 kishte kryer pagesa në vlerë prej 5,898,000 euro apo 2,859 raste të pagesave të cilat e kanë tejkaluar afatin ligjor si dhe pagesa shtesë për procedura përmbarimore në vlerë 106,965 euro”. ZKA ka gjetur edhe mangësi në menaxhimin e të hyrave nga tatimi në pronë, sikurse edhe dobësi në menaxhimin e të hyrave nga sektori i mbeturinave. “Komuna ka faturuar dhe arkëtuar tarifën për mbeturina në shumë prej 12 euro/për vit pa ndonjë bazë ligjore (vendim të Kuvendit të Komunës), përderisa ngarkesa e tarifës vjetore duhet të ishte 54 euro”.

Një çështje tjetër e përmendur nga Auditori ka qenë shfrytëzim i parregullt i pronave komunale, duke veçuar tregjet “B. Curri” dhe “Qylhani” , të cilat sipas ZKA-së që nga viti 2013 janë shfrytëzuar pa kontrata dhe Komuna nuk ka ndërmarr asnjë hap për lirimin e këtyre pronave. “Komuna nga viti 2017 nuk i ka faturuar këta shfrytëzues të pronave, pasi që nuk ka bazë ligjore për ngarkesë, përderisa shfrytëzuesit privat brenda këtyre tregjeve, paguajnë qira për shfrytëzimin e tezgave apo lokaleve që gjinden në treg. Shkak për këtë është mos implementimi me kohë i kushteve të kontratës me shfrytëzuesit e hapësirave dhe mos ndërmarrja e masave të nevojshme nga ana e komunës”, thuhet në raport, me ç’rast theksohet se pas përfundimit të auditimit për vitin 2020, Komuna me vendim të kryetarit ka larguar nga pronat komunale të gjitha partitë politike.

Te kategoria e mallrave dhe shërbimeve, ZKA-ja ka gjetur parregullsi gjatë aplikimit të procedurave të negociuara pa publikimin e njoftimit të kontratës, derisa te subvencionet dhe transferet ka identifikuar vlerësimi në shpërputhje me kriteret e përcaktuara me thirrje publike. “Komisioni për vlerësim të aplikacioneve për subvencionimin e OJQ-ve kishte shpërblyer dy OJQ (vlera e subvencioneve 142,000 euro) të cilat kishin obligime të pashlyera ndaj ATK-së. Kjo ka ndodhur për shkak të funksionimit jo të mire të kontrolleve të brendshme”.

Ndërkaq te investimet kapitale, Auditori ka veçuar mungesën e projektit ekzekutiv në kontratën “Rregullimi i shtigjeve për biçikletë Downhill”. “Komuna nuk e kishte hartuar projektin ekzekutiv, por kishte iniciuar procedurat e prokurimit duke përgatitur vetëm paramasën dhe parallogaritë. Shkaqet e mos hartimit të projektit ishin neglizhenca e zyrtarëve përkatës dhe fakti që procedurat e prokurimit të mos vonohen”. Në këtë kategori është gjetur edhe zotimi i mjeteve pas faturës. “Në tetë raste komuna kishte pranuar faturën së bashku me dokumentacionin mbështetës para datës së kërkesës për zotim të mjeteve dhe kërkesës për mallra dhe shërbime. Vlera e faturave të pranuara është 529,391 euro. Kjo praktikë është përsëritur vit pas viti për shkak të mungesës së funksionimit të kontrolleve të brendshme”.

ZKA ka bërë të dituar se ka pasur edhe vonesa në realizimin e kontratave. “Në dy raste Komuna nuk kishte realizuar punimet sipas planit dinamik siç parashihej me kontratë, derisa ishim në auditim (mars 2021) asnjëra nga këto projekte nuk i kishte përfunduar punimet. Vonesa ishte deri në një vit. Shkak i vonesave ishte mungesa e mjeteve në dispozicion për të përfunduar kontratën si pasojë e planifikimit jo të duhur të projektit dhe të disa ndryshimeve në pozicione gjatë realizimit”.

Në këtë raport bëhet e ditur gjithashtu se buxheti final në kategorinë e investimeve kapitale në krahasim me buxhetin fillestar ishte rritur për 2,645,423 euro dhe se përkundër kësaj rritje vetëm 67% e buxhetit ishte shpenzuar. “Edhe dinamika e realizimit nuk është në harmoni me planifikimet, sepse 51% e shpenzimeve nga kjo kategori janë realizuar në tremujorin e fund vitit. Gjithashtu, vlen të theksohet se nga 88 kontratat e nënshkruara gjatë vitit 2020 në vlerë prej 15,094,586 euro, vetëm në periudhën e fund vitit janë lidhur 51% kontratave apo 45 kontrata në vlerë 4,303,016 euro. Kjo një arsye shtesë/tjetër për mos realizim të buxhetit dhe sfidë që duhet të adresohet nga menaxhmenti. Shkaku i një dukurie të tillë sipas menaxherit të prokurimit ishte vonesa në hartimin e projekteve ekzekutive të përcaktuar paraprakisht si kriter ligjor para inicimit të procedurave të prokurimit”.

Auditori ka gjetur edhe mangësi në procesin e rekrutimit të stafit, ndërkohë që ka adresuar edhe rekomandime për përmirësime. Në anën tjetër, menaxhmenti i Komunës së Prizrenit përmes një shkrese ka konfirmuar pajtimin me gjetjet dhe rekomandimet e Raportit, sikurse që është zotuar edhe për dorëzimin e Planit të veprimit për zbatimin e rekomandimeve.