Arbëri

Arrestohet xhaxhai i vajzës që refuzoi të martohej me shkues, dyshohet se ajo ka vdekur

Xhaxhai i një 18-vjeçareje e cila u zhduk muaj më parë në Itali pasi refuzoi një martesë të aranzhuar në Pakistan, u arrestua në periferi të Parisit, sipas autoriteteve italiane të cilët frikësohen se vajza mund të ketë vdekur.

Saman Abbas u pa së fundmi në prill nga fqinjët në shtëpinë e familjes së saj. Disa ditë më vonë, një video nga aeroporti i Milanos kapi prindërit e saj, të cilët i bënë presion që të martohej me një burrë të cilin ajo kurrë nuk e kishte takuar, teksa nxitonin të arrinin fluturimin për në Pakistan.

Xhaxhai i saj u arrestua në një apartament ku po jetonte me persona të tjerë. Policia tha se rrjetet sociale të tij luajtën rol në kapje. Prokurorja e rastit ka thënë në konferencë se xhaxhai duket se është “koka e planit kriminal”, por nuk dha detaje se çfarë nënkuptonte me plan.

Abbas i tregoi të dashurit të saj me origjinë pakistaneze se prindërit donin ta martonin me një burrë më të moshuar në Pakistan, por se ajo refuzoi. Pasi u paraqit në polici, Abbas u lejua të qëndronte në një strehimore por më vonë u kthye në shtëpi, pasi familja iu lut që të kthehej.

Vëllai i saj i vogël i ka thënë autoriteteve se ka mësuar se xhaxhai i tij e ka vrarë të motrën, raporton një media italiane.

Tre burra u panë në kamerat e sigurisë me lopata, kova dhe një thes afër shtëpisë së familjes në Itali rreth kohës kur u zhduk.