Arbëri

Prizreni subvencionon Qendrën Sportive që ka mbetur pa të hyra prej fillimit të vaksinimit masiv

Qendra Sportive “Sezai Surroi” në Prizren ka disa muaj që ka mbetur pa të hyra vetjake, pasi është transformuar përkohësisht në Qendër të Vaksinimit. Për shkak të kësaj situate, pushteti lokal gjatë këtij muaji ka marrë vendim që ta subvencionojë këtë kompleks sportiv me mbi 13 mijë euro, në mënyrë që punonjësit mos të mbesin pa të ardhura. Në mbledhjen e fundit të Kuvendit të Komunës së Prizrenit, propozimi i ardhur nga Ekzekutivi komunal është mbështetur edhe nga opozitarët, të cilët kanë bërë thirrje që kjo çështje të rregullohet nga Qeveria e Kosovës.

Drejtoresha për Financa në Komunën e Prizrenit, Leonora Çerreti ka bërë të ditur se Qendra Sportive “Sezai Surroi” funksionon me vetëfinancim, dhe se shndërrimi i saj në Qendër të Vaksinimit ka pamundësuar arkëtimin e të hyrave nga shfrytëzuesit. “Pamundësia që klubet ta shfrytëzojnë palestrën ka ndikuar që Qendra Sportive mos të ketë të hyra që prej fillimit të vaksinimit. Prandaj me kërkesë të tyre, propozojmë që mjetet në vlerë prej 13,450 euro për 6 muaj shfrytëzim të ndahen për Qendrën Sportive “Sezai Surroi””, ka thënë Çerreti para kuvendarëve.

“Llogaria është bërë nga muaji qershor deri në muajin tetor. Shpresojmë që deri në muajin tetor të kemi një ndryshim, të ndryshohet palestra, ose do të na duhet që ta marrim edhe një vendim të ri. Kemi bërë kërkesë që të ndryshohet lokacioni dhe shpresojmë që nga ajo kohë klubet do të mund të rikthehen dhe të vazhdojnë aktivitetin e tyre në Qendrën Sportive “Sezai Surroi””, ka deklaruar ajo.

Ndërsa këshilltari i KK-së nga radhët e LDK-së, Haziz Hodaj ka shprehur qëndrimin se çështja e shfrytëzimit të hapësirave për vaksinim është dashur të rregullohet në komunikim me Ministrinë e Shëndetësisë. “Ministria e Shëndetësisë është dashur që të jetë bartëse e këtyre shpenzimeve, dhe të kujdeset për stafin aty. Megjithatë pasi nuk ka një marrëveshje me MSh-në bëhet fjalë për një numër të punëtorëve që aty punojnë dhe sigurisht se ne do ta mbështesim. Do ta mbështesim për hir të punëtorëve që punojnë dhe nuk kanë të ardhura”, është shprehur Hodaj.

Fatmir Kastrati i AAK-së gjithashtu ka theksuar se Qeveria e Kosovës është dashur që ta gjej një zgjidhje për këto raste dhe mos ta ngarkojë Komunën me këtë barrë financiare. “Këto mjete në vend se të shfrytëzohen për diçka tjetër që i duhen Komunës tani duhet të shfrytëzohen për subvencionimin e Qendrës Sportive, sepse ne nuk mund ti lëmë pa paga ata njerëz që punojnë aty. Ne do ta votojmë, por kjo nuk është në rregull. Është mirë që Drejtoria e Financave ta bëj një kërkesë në Qeverinë e Kosovës që të gjendet një zgjidhje për këtë”, ka thënë Kastrati.

Drejtoresha e Financave, Leonora Çerreti ka sqaruar se ka bërë kërkesë në MSh, por se përgjigja që ka marrë nga niveli qendror ka qenë që kjo barrë i takon organeve komunale.

“Dallimi me komunat tjera mund të jetë që Qendrat Sportive nuk janë në vetëfinancim. Prandaj kjo barrë tash i takon Komunës. Zgjidhja ka qenë ose ta lëmë pa financim Qendrën Sportive ose të bëjmë një zgjidhje ne në këtë formë”, ka pohuar ajo, ndërkohë që anëtarët e KK-së njëzëri kanë votuar për miratimin e vendimit për subvencionim.

Javën e shkuar, KOHA ka raportuar se si shndërrimi i qendrës sportive “Sezai Surroi” në pikë të vaksinimit kundër COVID-19, u ka pamundësuar klubeve të Prizrenit që të kenë qasje në palestrën ku kanë zhvilluar aktivitetin. Këto të fundit janë detyruar që të gjejnë zgjidhje alternative si për stërvitjet ashtu edhe për ndeshjet që i zhvillojnë si vendas.

Rishtazi Ekzekutivi komunal i Prizrenit ka dërguar në Kuvendin e Komunës edhe propozim-vendimin për subvencionimin me 25 mijë euro të klubeve sportive të Komunës së Prizrenit që në pamundësi të shfrytëzimit të QS “Sezai Surroi”, detyrohen që aktivitet e tyre sportive t`i zhvillojnë në hapësira tjera të përshtatshme për këtë qëllim. Ky propozim-vendim parashihet që të shqyrtohet në mbledhjen e radhës së KK-së së Prizrenit, që pritet të mbahet me 30 shtator.

Sipas organeve komunale, Qendra Sportive “Sezai Surroi” nga fundi i muajit maj me kërkesë të Ministrisë së Shëndetësisë, shfrytëzohet për vaksinim masiv anti-covid të qytetarëve të Komunës së Prizrenit.