Arbëri

Infermierja që trajtoi pacientin me COVID në oborrin e QKMF-së kërcënohet me masa disiplinore

Infermierja që ditë më parë u pa teksa ia vendoste infuzionin një qytetari të Lipjanit, i prekur me COVID-19, në hyrje të objektit të QKMF-së në këtë qytet, është paralajmëruar nga menaxhmenti se do të dërgohet në Komisionin Disiplinor.

E Infermierja Ganimete Qeriqi, e fotografuar duke u dalë në ndihmë pacientëve, për të cilët nuk kishte shtretër në QKMF, thotë se ky është misioni i mantelbardhëve.

“E kam parë të arsyeshme që ai pacient me Covid 19, të trajtohej me urgjencë dhe ta marrë injeksionin përmes infuzionit qoftë në oborr ose në veturë. Kjo ka ndodhur për shkak se pacienti ishte shumë i lodhur dhe me qëllim që të mos pres shumë gjatë në radhë, por për këtë veprim timin menaxhmenti i QKMF-së më ka paralajmëruar se do të më çojë në Komision disiplinor. Unë sqaroj se jemi staf emergjent dhe në raste të tilla duhet të intervenojmë qoftë në rrugë, oborr apo kudo qoftë tjetër me të vetmin qëllim që të ruhet shëndeti i qytetarit”, ka thënë Qeriqi.

Për rastin kanë reagur qytetarë e parti politike, por jo edhe përgjegjësit e shëndetësisë në Lipjan.

Drejtoresha për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale në Komunën e Lipjanit, Merita Bytyqi, të martën nuk ka gjetur kohë t’u përgjigjej pyetjeve të KOHES rreth kësaj çështje.

“Më vjen keq, por të enjten kthehem dhe ju jap informacione”, ka thënë shkurt Bytyqi nëpërmjet një SMS-je.

Në fakt, gjatë ditëve të fundit, punonjësit e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Lipjan po vazhdojnë të përballen me fluks të madh të pacientëve me Covid-19. Qendra për trajtimin e pacientëve me Covid-19 vazhdimisht po qëndron e mbushur me pacientë të cilët shpeshherë po presin deri në dy orë për ta marrë një infuzion.

Daut Fazlia, qytetar nga Lipjani, ka thënë se deri në dy orë po presin pacientët me Covid për të marrë një infuzion në QKMF.

“Kjo është shqetësuese, sepse pacientët me Covid meritojnë një trajtim më të mirë dhe jo të presin në radhë deri në dy orë për ta marrë një infuzion. Një ditë më parë e kishim rastin kur një pacient është trajtuar me infuzion në oborrin e QKMF-së shkaku i mungesës së shtretërve. Ne si qytetarë dhe si pacientë kërkojmë nga Komuna që ta liroi edhe ndonjë hapësirë tjetër brenda QKMF-së për t’i trajtuar pacientët me Covid, sepse numri i rasteve aktive është në rritje”, ka thënë Fazlia.

A.Q., që para pak ditësh ka kaluar virusin, ka thënë se është të gjitha barërat është detyruar t’i blejë vet.

“Nuk kam pritur aq gjatë për të marrë infuzione sepse ndërkohë nuk ka pasur aq shumë fluks siç po ndodh këto ditë, por shqetësuese është se të gjitha barnat i kam blerë vetë dhe ndërkohë mjekun privatisht e kam thirr në shtëpi për të m’i dhënë infuzionet. Shpresojmë se do të ishte mirë që të ketë hapësirë më të madhe në QKMF për trajtim të rasteve me Covid”, ka thënë ai.

Ndërkohë të martën, subjekti opozitar PDK, dega në Lipjan, nëpërmjet një komunikate ka kritikuar ekzekutivin e Komunës për keqmenaxhim me situatën e pandemisë.

“Ekzekutivi i Komunës së Lipjanit ka dështuar ta menaxhoi situatën e pandemisë, derisa pacientët presin me orë të tëra për të marrë një infuzion e, po ashtu këtë e dëshmon më së miri edhe rasti i fundit derisa nuk është krijuar hapësirë për t’i trajtuar rastet me Covid19. Ne si opozitë kemi reaguar edhe në të kaluarën, pasi që i njëjti rast pati ndodhur në oborrin e QMF-së në Shalë kur një pacient ishte detyruar të marrë infuzion ‘nën hijen e pemëve’. Punonjësit nuk janë aspak fajtorë, sepse ata në çdo moment mundohen që t’u shërbejnë qytetarëve në mënyrën më të mirë të mundshme duke e bërë punën me shumë përkushtim dhe ndershmëri”, thuhet në komunikatën e PDK-së. Sipas këtij subjekti politik, në rastin e fundit kur një qytetar vërehet duke marrë infuzion në oborrin e emergjencës, kjo tregon se ekzekutivi nuk ka krijuar kushte për trajtim të pacientëve, por në asnjë mënyrë nuk duhet fajësuar stafi.