Arbëri

Testet rapide do të kryhen në të gjitha 12 QMF-të e Pejës

Pas shtimit të interesimit të qytetarëve të Pejës për kryerjen e testit rapid për COVID-19, në Pejë është vendosur që ky test të kryhet në të gjitha Qendrat e Mjekësisë Familjare për të shmangur tollovitë në Qendrën Kryesore.

Deri ditët e fundit, numri i testeve të kryera në laboratorin e kësaj qendre mjekësore nuk ka qenë edhe aq i lartë, por pasi këto ditë po shënohet rritje masive e numrit të rasteve pozitive më Covid-19, siç ka thënë drejtori i Shëndetësisë në Pejë, Petrit Loci, është shtuar edhe interesimi i qytetarëve për këtë test.

“Është rritur shumë interesimi për testet rapide antigjene dhe kjo ka nis të krijojë tollovi në QKMF. Këto ditë po kryhen deri në 100 teste brenda dy orëve, nga ora 10 deri në ora 12.00, kur edhe po bëhen këto teste. Dhe mjaft prej tyre po dalin pozitivë”, ka deklaruar Loci të premten për KOHËN.

Për të pakësuar numrin e qytetarëve në korridorin e QKMF-së, Loci njoftoi se nga dje këto teste kanë nisur të kryhen edhe në QMF-3 në lagjen Karagaqi dhe në QMF-5 në lagjen Fidanishte.

“Për të pamundësuar krijimin e tollovive për këto teste, për të cilat qytetarët po tregojnë interesim të madh këto ditë, në ditët në vazhdim këto teste të shpejta do të bëhen edhe në QMF-të tjera në komunën e Pejës”, ka thënë ai.

Në komunën e Pejës janë gjithsej 12 Qendra të Mjekësisë Familjare, prej të cilave pesë janë në qytet dhe tjerat në vendbanimet rurale.

Gjitha testet e shpejta që po bëhen në qendrat e mjekësisë primare, janë duke u përfshirë gjithashtu në raportet e përditshme të Ministrisë së Shëndetësisë për rezultatet e testeve të kryera brenda 24 orëve.

E brenda këtyre 24 orëve të fundit, nga testet e bëra në institucione shtetërore dhe private, në komunën e Pejës kanë rezultuar 184 raste të reja me Covid-19, duke e quar në 1 mijë e 60 numrin e rasteve aktive në këtë komunë. Në këto 24 orët e fundit betejën me Covid e ka humbur një banore mbi 70 vjeçe e kësaj komune.

Prej fillimit të pandemisë në këtë komunë nga ky virus kanë humbur jetën 135 persona. Ndërsa aktualisht në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës janë të shtrirë 97 pacientë me Covid-19.