Arbëri

Subjektet politike shqiptare garojnë me listë të përbashkët në komunat veriore

Subjektet politike shqiptare do të dalin me një kandidat të përbashkët kundër Listës Serbe në komunat veriore në zgjedhjet lokale të 17 tetorit.

Këtë e ka konfirmuar për KOHËN, Florent Azemi i Partisë Demokratike të Kosovës.

Azemi, që ishte kandidat i PDK-së për kryetar të Mitrovicës Veriore, ka thënë se subjektet shqiptare do të garojnë bashkë me një listë në komunat veriore.

“Ne do të garojmë në një listë të përbashkët në zgjedhjet e 17 tetorit në komunat veriore. Po ashtu pjesë e listës do të jenë edhe komunitetet që nuk i përkasin etnisë serbe”, ka thënë Azemi, që ka lënë të hapur mundësinë që të përfshihet në listë edhe ndonjë serb që nuk është i kënaqur me udhëheqjen.

Listës përbashkët të subjekteve shqiptare për Mitrovicën e Veriut do t’i prijë Skënder Sadiku, ka treguar Azemi.

Për komunat tjera veriore ende nuk është caktuar kandidati.

Lëvizja Vetëvendosje në Artanë ka njoftuar se ka ftuar partitë politike shqiptare në këtë komunë të kandidojnë me listë të përbashkët dhe kandidat të përbashkët kundër Listës Serbe.

Kësaj ftese, siç ka njoftuar kreu i degës së VV-së në Artanë, Abdyl Gashi, i është përgjigjur pozitivisht PDK-ja.