Rreth dy javë kohë iu kanë mbetur subjekteve politike që t’i finalizojnë listat me të cilat do të garojnë në zgjedhjet lokale të 12 tetorit. Deri më tani, prej partive të mëdha, ato i kanë përmbyllur vetëm PDK-ja e LDK-ja
Partitë politike e kanë intensifikuar shpalljen e kandidaturave për kryetarë të komunave e asamble komunale, derisa afati për deklarimin e tyre është drejt fundit.
Periudha për dorëzimin e listave për zgjedhjet lokale mbyllet më 13 gusht.
Deri më tani, një pjesë e konsiderueshme e subjekteve politike i kanë prezantuar kandidatët, derisa ditëve të fundit listat e tyre i kanë përmbyllur PDK-ja e LDK-ja.
E derisa janë duke u përgatitur për zgjedhjet lokale, secila prej partive politike është duke u përballur edhe me një garë në nivel qendror.
Njohësi i politikave të nivelit lokal, Shkëlqim Jakupi, konsideron se kriza politike si pasojë e moskonstituimit të Kuvendit, do të ndikojë në garën për kryetarë komunash.
“Interesi i tyre më i madh është që të dakordohen eventualisht për të përcaktuar kandidatë të mirë dhe jo të mirë nëpër komuna, të caktuar në atë mënyrë që t`i lejojnë rrugë njëri-tjetrit në marrëveshje jopublike, të mos të themi sekrete, në mënyrë që në të ardhmen ata ta kenë edhe një bashkëpunim të mundshëm edhe në nivel qendror”, ka thënë Jakupi.
Ai vlerëson se karakteristikë e zgjedhjeve të 12 tetorit do të jetë numri i madh i balotazheve.
Në bazë të deklarimeve të deritanishme, prej partive të mëdha, në katër komunat në veri do të kandidojnë vetëm Partia Demokratike e Kosovës e Lëvizja Vetëvendosje. Që të dyja subjektet i kanë rikandiduar kryetarët aktualë shqiptarë në këtë pjesë të banuar kryesisht me serbë.
Përgatitjet për zgjedhjet lokale është duke i bërë edhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, megjithëse një pjesë e aktiviteteve të parapara zgjedhore pritet të hasin në vështirësi ose të anulohen në tërësi, në mungesë të buxhetit.
KQZ-ja ende nuk ka njoftuar nëse ka marrë përgjigje pozitive nga Qeveria e Kosovës për ndarjen e buxhetit shtesë prej 6.5 milionë eurosh për organizimin e procesit zgjedhor.