Arbëri

Tollovi në Qendrën e vaksinimit në Rahovec, qytetarët ankohen për pritje të gjata

Në Rahovec qytetarët po ankohen se procesi i vaksinimit nuk po shkon në mënyrën e duhur. Ata kanë thënë për KOHËN se po presin në radhë të gjata për t’u vaksinuar, e disa prej tyre po kthehen në shtëpi pa kryer punë.

Sipas asaj që deklaronin qytetarët, shumica prej tyre nuk dinin ta përdornin platforma E-Kosova dhe kishin ardhur fizikisht për të caktuar një termin për vaksinim.

Por drejtori i Qendrës së Mjekësisë Familjare në Rahovec, Elbunit Kryeziu, ka thënë për KOHËN se paradite dhe pasdite punojnë nga dy deri në tre ekipe mjekësore. Madje, disa mjekë kanë thënë që po i punojnë të dyja ndërrimet.

Drejtori ka thënë se në ditë vaksinohen deri në 500 persona, duke e kaluar qëllimin e tyre prej 400.

Drejtori mes tjerash ka thënë se disa herë i kanë dërguar Ministrisë së Shëndetësisë për më shumë specializantë e mjekë që do e bëjnë vaksinimin e qytetarëve te Rahovecit, për shkak se po ballafaqohen me mungesë të mjekëve. Ai ka shtuar se plani i tyre para fillimit të procesit të vaksinimit ka qenë që me i çelë edhe dy qendra të tjera për vaksinim në dy fshatra afër Rahovecit, por që në ditë të fundit Ministria e Shëndetësisë nuk i ka lejuar për shkak se kanë pasur mungesë të stafit mjekësor dhe se duhet respektuar vendimi që vaksinimi me u bë vetëm me një qendër. Drejtori ka cekur se këto qendra kanë qenë të aprovuara paraprakisht nga Ministria për sa i përket përgatitjeve teknike/infrastrukturore.

Sa i përket tollovisë dhe qytetarëve të cilët nuk po i vendosin maskat, drejtori ka thënë se disa herë e ka kontaktuar Policinë, por se qytetarët kanë vazhduar mos-respektimin e masave anti-COVID.

Vullnetarët gjatë tërë kohës sa ishim aty i kanë ofruar qytetarëve maska.