1 perditesime
16:54

Policia jep detaje për zjarret në Suharekë

Policia e Kosovës ka njoftuar se rreth 200 hektarë tokë janë përfshirë nga zjarri në fshatin Studenqan të Suharekës.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Vesel Gashi, i ka thënë KOHËS se zjarrfikësit dhe qytetarët po japin maksimumin për lokalizimin e zjarrit.

“Zjarri ende është aktiv, dyshimet e para thonë se zjarri është shkaktuar nga faktori njeri, mirëpo edhe temperaturat e larta”, ka thënë ai.

15:40

Zjarret kaplojnë hapësira afër Zonës Industriale në Shirokë

Kryetari i komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, ka bërë të ditur se zjarret kanë kapluar edhe Zonën Industriale në Shirokë.

Muharremaj përmes një statusi në Facebook ka thënë se të gjitha ekipet e zjarrfikësve janë në terren.

Ai ka kërkuar edhe ndihmën e qytetarëve me cisterna private.

“Situata është serioze nga përfshirja e zjarreve në Zonën Industriale në Shirokë. Të gjitha ekipet e zjarrfikësve janë në teren, e poashtu kemi kërkuar ndihmë edhe nga Prizreni dhe Mamusha. Të gjithë ata që mendojnë se mund ta japin ndihmë e tyre me cisterna private i ftoj të na ndihmojnë”, ka shkruar Muharremaj.

Bjeshkët e Rugovës kanë qenë të përfshira nga zjarret gjatë ditës së premte mirëpo me ndërhyrjen e KFOR-it përmes helikopterit për shkak të terrenit të vështirë, ato janë shuar.