Arbëri

Qytetarët i kërkojnë projekte infrastrukturore, Bulliqi lavdërohet për punën në Podujevë

Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka prezantuar të enjten punën e tij për gjashtë muajt e fundit. Në një takim me qytetarët, duke iu referuar punëve, Bulliqi është lavdëruar se kanë bërë orar më fleksibil për qytetarët, teksa ka përmendur edhe platformën “Alo Komuna”, projektin “One stop shop”, ofrimin e shërbimeve për qytetarë gjatë pushimeve dimërore e lejimin e parkingut për bashkatdhetarët si punë të kryera. Në anën tjetër, shumica e kërkesave që qytetarët kanë pasur për Ekzekutivin kanë qenë lidhur me infrastrukturën.

Bulliqi ka thënë se për këtë periudhë kanë inkasuar 710 mijë euro të hyra dhe mbi 300 mijë vetëm nga tatimi në pronë.

“Kemi gjetur një numër të madh të ekonomive familjare që nuk kanë qenë të regjistruara në tatimin në pronë dhe kanë qenë kryesisht kompani të mëdha. Dhe nuk e dimë për çfarë arsye pushteti i kaluar nuk i ka regjistruar, ndërsa familje të varfra kanë paguar. Ne shumicën i kemi regjistruar dhe për atë arsye edhe kemi pas një inkasim të mirë”, ka thënë Bulliqi. “I kemi furnizuar shkollat me 112 tituj të rinj dhe 30 mijë ekzemplarë. Po ashtu është në proces ndërtimi i sallave sportive në shkollat e Bellopojës, Pollat dhe Podujevë. Ka filluar rinovimi i çerdhes, kanë nisur procedurat dhe shpejt do të bëhet funksionalizimi i çerdhes së dytë publike. Kemi filluar rinovimin e shkollave. Procesin e trajnimit të mësimdhënësve. Vazhdimi i ndërtimit të objektit të shkollës në Ballofc. Marrëveshje bashkëpunimi me kompanitë ‘SANTEFARM’ dhe ‘Santefruit’ për punë praktike për nxënësit e SHMLE ‘Isa Boletini’ dhe mundësisë që të realizojnë edhe të hyra gjatë kësaj periudhe.”

Kryetari i Komunës së Podujevës ka thënë se e kanë gjetur shëndetësinë me kapacitete minimale dhe mosrespektim të orarit të punës nga ana e stafit. Sipas tij, Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare e kanë gjetur me 4 shtretër ku janë trajtuar edhe pacientët me COVID-19 edhe ata që kanë qenë të dyshuar. Tash thotë se i kanë shtuar kapacitete edhe të shtretërve dhe nuk trajtohet në të njëjtin vend edhe ata me COVID, edhe ata që janë të dyshuar. Bulliqi ka theksuar se i kanë funksionalizuar 2 karrige stomatologjike, mamografin, shërbimin e patronazhit, etj.

“E kemi nënshkruar memorandumin me Shoqatën ‘Jetimat e Ballkanit’ për 10 shtëpi dhe tash pritet të nënshkruajmë edhe një memorandum për 5 shtëpi dhe bëhen 15. Kemi vazhduar ndërtimin e pjesës së dytë të sheshit. E kemi ndërtuar një parking ndërmjet objektit të vjetër të Komunës dhe këtij të riut. Po ashtu është duke vazhduar asfaltimi i rrugëve”, ka thënë ai.

Shpejtim Bulliqi ka thënë se pushteti në Podujevë e ka rinovuar Bibliotekën e Qytetit dhe se pritet të zgjerohet hapësira për të, e kanë zhvendosur Arkivin e Qytetit në objektin e vjetër të Komunës dhe e kanë vendosur këndin arkivor nga Arkivi i Përgjithshëm i Tiranës, në Arkivin e Komunës, etj.

E kur iu ka ardhur radha qytetarëve, kërkesat më të mëdha të tyre kanë qenë për infrastrukturë.

Imer Bajrami nga fshati Orllan ka thënë se te “Plazhi 6”, aty ku ai banon, qytetarët po hedhin mbeturina. Ai ka kërkuar nga komunarët që ose ta mbyllin “Plazhin 6” ose t’i heqin mbeturinat.

Gëzim Krasniqi nga fshati Halabak, ka thënë një pjesë e rrugës në Lagjen Krasniqi dhe kanalizimet e kanë në gjendje katastrofale. “Ne i kemi bë dy kërkesa zyrtare edhe me peticion dhe po duam ta dimë se a kemi hy në listë të pritjes a jo?” ka pyetur ai, ndërsa drejtori për Planifikim Urban e Mbrojtje të Mjedisit, Bujar Hasani, i ka thënë se projekti mbetet për vitin e ardhshëm.

Ndërsa, Asdren Hotit i cili është ankuar se 200 banesa kanë mbetur të mbyllur për shkak të ndërtimit të Bulevardit të Qytetit, Hasani i është përgjigjur duke thënë se brenda muajit do të rregullohet rruga.

Rrugë, kanalizim e trotuare kanë kërkuar edhe banorët e fshatrave Llapashticë e Poshtme, Penuhë, Llaushë, Gërdofc, Zhiti, etj. Ndërkohë, zyrtarët komunalë kanë thënë se disa janë të planifikuara sivjet, ndërsa për disa të tjera do të shohin vitin e ardhshëm.

Ndërsa, një banor i fshatit Gërdorc, pos rrugëve, ka kërkuar nga Ekzekutivi që të merret edhe me Rregulloren që e ndalon punën të dielave dhe për trajtimin e qenve endacakë u ka thënë t’i trajtojnë sipas Ligjit. Kurse, për Rregulloren për organizimin e fshatrave ka kërkuar që të mos e miratojnë.

Në anën tjetër, kryetari Bulliqi ka thënë se Rregulloren për orarin e punës e kanë gjetur dhe se ai është për ta hequr kufizimin, në mënyrë që të punohet edhe të dielave. Por, sipas tij, këtë po e bllokojnë dy partitë opozitare, LDK-ja e PDK-ja.

“Sa i përket Rregullores për organizimin e komitetit të fshatrave ai është nga niveli qendror. Nuk jemi të kënaqur as ne, pse e kanë bë atë, sigurisht është për shkak të pagesave. Për qentë endacakë krejt sipas ligjit po trajtohen. Për kolektor, Komuna i ka marrë kredi 5.3 milionë euro. Dhe ky është njëri prej projekteve që më së shumti është keqpërdor. Na duhet me i gjet defektet qysh me zgjidh këtë problem”, ka deklaruar ai.

Një banor ka kërkuar të dinë statusin e objektit afër Emergjencës, në të cilin janë vendosur disa familje pas luftës, edhe pse nuk kishte qenë i përfunduar plotësisht. Ai ka thënë se nevoja i ka detyruar të hyjnë në atë objekt dhe se pjesën e brendshme e kanë rregulluar vetë banorët. Por, Bulliqi ka thënë se do të shohin mundësitë ligjore për t’ua gjetur një zgjidhje.

Ndërsa, Xhafer Ademi nga komuniteti ashkali ka kërkuar që t’u ndërrohen gypat e ujit, të rregullohen disa rrugë me kubëza dhe po ashtu ka kërkuar që t’u ndahet një pronë për ndërtimin e një lagje sikur “Lagjja e Dëshmorëve”. Për mjete ka thënë se i siguron vetë ai, pasi është përfaqësues i një organizate joqeveritare.

“E kam edhe një kërkesë për hapjen e qendrave të mësimit që janë mbyll. Sa kanë qenë të hapur është mbajtur mësim për nxënësit e komunitetit tonë dhe kanë qenë të shkëlqyeshme. Po ashtu edhe të punësohen pjesëtarë të komunitetit tonë në Komunë, se tash është veç një pastruese”, ka theksuar Xhafer Ademi, i cili ka marrë premtime pothuajse për të gjitha kërkesat nga ekzekutivi.

Ndërkohë, Shemsi Jashari nga Rrjeti i organizatave joqeveritare “Demokracia Fillon Këtu”, ka thënë se çështja e memorialit “Afrim Zhitia” ka mbetur që Komuna ta zgjidhë problemin për lirimin e pronës komunale për ndërtimin e projektit.

“Me sa e di në vitin 2007 Komuna e ka ndarë një pjesë prej 4 arë tokë. Ndërkohë, në 2013 është bërë projekti për zgjerimin e memorialit në një hapësirë prej 29 ari që është pronë komunale, projekt që ka kushtuar mbi 400 mijë euro. Tash së fundi Kuvendi e ka obliguar ekzekutivin për ta liruar pronën e uzurpuar”, ka thënë ai.

Ndërsa, Bulliqi ka theksuar se nuk e di kush e ka bërë projektin pa pasur tokë.

“Është sipërfaqja që Kuvendi Komunal e ka nda. Dhe ata është dashtë me hartu projektin në bazë të pronës që e ka. Kush doni, edhe ju mund të vini në zyrë edhe jua tregoj krejt dokumentacionin...”.

Por, Jashari ka insistuar që qytetarët duhet ta dinë që Komuna nuk po e liron pronën për realizimin e atij projekti për Afrim Zhitinë, gjë që nuk i ka pëlqyer kryetarit të Komunës. “Afrim Zhitia më shumë është i imi sesa i yti. E Afrim Zhitia nuk është as i imi, as i yti, por i krejt Kosovës...”, ka qenë përgjigja e Bulliqit.