Arbëri

Familja Osmani proteston kundër vendimit të Lladrovcit për pronën në Drenas

Banorë të Drenasit, kryesisht pjesëtarë të familjes Osmani, të mërkurën kanë dalë në protestë kundër vendimit të kryetarit të Komunës, Ramiz Lladrovci, për t’ia dhënë një firme private një pronë në shfrytëzim.

Një ditë më parë KOHA raportoi se kjo kontratë rrezikon ta fushë në këtë komunë në borxh rreth katër milionë euro.

Prona që i është dhënë në shfrytëzim kompanisë “IP-Kos”, është pronë për të cilën Gjykata e Apelit ia ka njohur të drejtën e kompensimit familjes Osmani.

Prona ndodhet në pjesën më të frekuentuar të Drenasit.

Të mërkurën, qytetarët protestues nuk janë lënë nga Policia që të hyjnë te prona në fjalë dhe as të bllokohet rruga kryesore, siç edhe është paralajmëruar.

“Jemi mbledhur këtu të kundërshtojmë vendimin e Komunës së Drenasit që pronën tonë ia jep një kompanie private. I kemi njoftuar me shkrim dhe takimet e shumta të gjitha institucionet relevante se kjo pronë i është marrë padrejtësisht familjes sonë 1976 pa u kompensuar asnjëherë. Lënda nuk është zgjidhur ende nga Gjykata. Ka kaluar koha kur pushtetarët u marrin prona private qytetarëve pa kompensim duke ua dhënë këto prona bizneseve apo oligarkëve”, ka thënë Afrim Osmani, përfaqësues i familjes.

Ai u ka bërë thirrje institucioneve që “të jepet vendim meritor për zgjidhjen e lëndës”, teksa ka paralajmëruar se “s’do të lejohet shfrytëzimi i pronës familjare nga kompanitë private, pa vendim gjyqësor”.