Arbëri

Breshri shkakton dëme në shumë fshatra të Podujevës

Fermeri Shaban Llumnica nga fshati Bellopojë në Komunën e Podujevës thotë të mos mbajë në mend breshër më të madh se që ka rënë pasditen e hënë. Kokrrat e mëdha thotë se ia kanë dëmtuar serrat, por edhe kulturat bujqësore. Vetëm në serra, sipas tij, dëmet janë afro 2 mijë euro.

“U ra breshër i madh që s’e mbaj në mend qaso kokrre aq të mëdhaja që ka ra. Unë këto vjet i bana, qashtu nuk kam pa breshër aq të madh që ka ra. Dëme na ka ba edhe në bujqësi përjashta edhe në sera”, ka deklaruar Llumnica.

Për t’i shpëtuar serrat nga dëmtimi i tërësishëm, ai thotë se menjëherë pasi kishte pushuar breshri është dashtë t’i arnojë ato duke u vendosur ngjitës dhe folie tjetër në pjesët e shqyera.

Dëmtime në kulturat bujqësore thonë të kenë pasur edhe fermerë të tjerë në Shakovicë. Por prapa kamerës ata kanë thënë se dëmet nuk janë aq të mëdha dhe se këto kultura ende mund t’i ekspozojnë në treg.

Në anën tjetër, zyrtarët komunalë të Podujevës thonë se gjatë mbrëmjes së hënë kanë marrë informata se breshër ka pasur në fshatrat Lluzhan, Lluga, Penuhë e Konushefc. Ndërkohë, gjatë ditës së martë, zëdhënësi Fatri Zhitia, thotë të mos kenë pasur ankesa nga fermerët për dëme në bujqësi.

“Komisioni është i gatshëm për çdo ankesë që i adresohet komunës që të dalë në terren dhe të evidentojë dhe t’i shoh problemet që i ka shkaktuar breshëri gjatë mbrëmjes së kaluar”, ka thwnw Fatri Zhitia, zëdhënës në Komunën e Podujevës.

Ndërkohë, fermeri Shaban Llumnica thotë se edhe nëse zyrtarët komunalë nuk dalin në terren, ai do të shkojë vetë për t’i paraqitur dëmet që i janë shkaktuar.

Dek-Shaban Llumnica- fermer në fshatin Bellopojë

“Valla kemi me kërkua prej komunës, po kurrkush s’ka ardh sot, deri qitash nuk ka ardh kurkush me kontrollua as me thanë të shkojmë të këyqrim çka ka ba dëme, s’është ardh kurrkush, e na në qoftë se vjen dikush, edhe mos ardhtë na do të shkojmë me kërkua”, ka shtuar Llumnica.

Kurse zëdhënësi Zhitia ka thënë se Komuna e Podujevës ka një fond për këso rastesh dhe nëse do të ketë ankesa nga ana e fermerëve, komisioni do të dalë për t’i verifikuar ato dëme dhe në bazë të mundësive buxhetore do t’u dalë në ndihmë.