Zyrtarët e Lëvizjes Vetëvendosje në Podujevës sa ishin në opozitë kërkonin që objekti që ishte ndërtuar para 16 vjetësh në Orllan, si pushimore për fëmijët bonjakë të pasluftës, të funksionalizohej si strehimore për viktimat e dhunës në familje. Por tash kur kanë ardhur në pushtet, kanë hequr dorë nga ky propozim. Ata mendojnë ta japin në shfrytëzim për shërbime hoteliere, siç kishte vendosur më herët Kuvendi Komunal. Në anën tjetër, shoqëria civile dhe PDK nuk presin që ky objekt të funksionalizohet sivjet dhe se, sipas tyre, ky do të vazhdojë të mbetet premtim fushate edhe në zgjedhjet lokale të muajit tetor
I pashfrytëzuar vazhdon të mbetet objekti gati njëmilionësh i ndërtuar para 16 vjetësh në Orllan të Podujevës. I destinuar si pushimore për fëmijët bonjakë të pasluftës, ky objekt nuk është funksionalizuar kurrë. E zgjidhje nuk është bërë as pas ridestinimit të tij në objekt hotelier e rekreativ-shëndetësor dhe uljes së çmimit për metër katror.
Shoqëria civile dhe PDK nuk presin që ky objekt të fuksionalizohet as pas ndërrimit të pushtetit në Podujevë.
Drejtori ekzekutiv i Rrjetit të OJQ-ve “Demokracia Fillon Këtu” thotë se për shkak të kontestit pronësor dhe pamundësisë së Komunës për të angazhuar staf aty, funksionalizimi i tij do të vazhdojë të mbetet premtim fushate edhe në zgjedhjet lokale të muajit tetor.
“Mosfunksionalizimi i këtij objekti ka shkaktuar dëm të madh, duke u nisur prej faktit që si objekt mund të amortizohet dhe ka nevojë për mirëmbajtje të rregullt, shto këtu faktin që nuk është shfrytëzuar ofrimi i shërbimeve gjatë kësaj kohe dhe gjithë ai investim ka mbetur i pashfrytëzuar. Sa i përket funksionalizimit në këtë mandat të shkurtër njëvjeçar nga Lëvizja Vetëvendosje unë besoj që ka qenë premtim fushate, por do të mbetet premtim i papërmbushur për shumë arsye”, ka thënë Shemsi Jashari.
Sipas tij, aty ka edhe kontest pronësor.
“E dimë që procedurat nëpër gjykata vazhdojnë shumë dhe është e pamundshme gjatë këtij mandati që të funksionalizohet. Nëse flasim për propozimin e Vetëvendosje që ky objekt të shfrytëzohet për destinacione të caktuara, gjithçka që funksionalizohet kërkon punësim të stafit, angazhim të ekspertëve të fushës. Prandaj Komuna e ka shumë problem me përmbush, me plotësu me staf profesional për ofrimin e këtyre shërbimeve”, është shprehur drejtori ekzekutiv i “Demokracia Fillon Këtu”. “Kështu që mbetet një opsion tjetër, ose partneriteti publiko-privat me një biznes privat që me kushte të caktuara të funskionalizohet, ose ta kenë mbështetjen e nivelit qendror duke ofruar shërbime të caktuara. Përndryshe, nuk shoh mundësi tjetër që ky objekt edhe pse shumë i vlefshëm, në një vend shumë të mirë, me një ajër shumë të pastër, të vihet në shërbim të qytetarëve për çfarëdo shërbimi që mund të jetë”.
Funksionalizim të shpejtë të këtij objekti nuk pret as këshilltari komunal i PDK-së, Rafet Llapashtica.
“Qeverisja aktuale e Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryetarit Bulliqi gjatë periudhës sa ka qenë në opozitë ka kërkuar që kjo shtëpi e bonjakëve të pasluftës të funksionalizohet. Ka qenë edhe premtim i tij që do ta fusin në funksion. Mirëpo deri më tani nuk e ka sjellë as në Kuvend, as në organet e ekzekutivit sa jemi të njoftuar, që të diskutohet se çka do të punohet në atë objekt”, është shprehur Llapashtica. “Ne nuk presim që në këtë mandat, edhe jemi shumë të sigurt që ky (Bulliqi v.j.) nuk do të mund ta funksionalizojë atë objekt, për arsye se në shtator veç janë zgjedhjet lokale dhe mendoj që ky mandat do të përfundojë ashtu sikur mandatet e tjera të Lidhjes Demokratike, por edhe ky i tij dhe ai objekt do të mbetet ashtu si gërmadhë qysh është ndërtuar pas luftës”.
Sipas këshilltarit të PDK-së duhet vetëm një vendim i ekzekutivit që ai objekt të funksionalizohet.
“Aty nuk ka asnjë problem, se prona është komunale, objekti është i ndërtuar me krejt pajisjet funksionale për çfarë është destinuar. Sa jam i njoftuar janë të punësuar dy zyrtarë nga Komuna si rojë dhe mirëmbajtje që e bëjnë. Aty vetëm duhet një vendim i ekzekutivit që për atë çfarë e parasheh me e funksionalizua objektin”.
Drejtori për Planifikim dhe Zhvillim Ekonomik, Pajtim Balaj, e ka mohuar që aty të ketë kontest pronës.
“Jam në dijeni për propozimin që Grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje ka dhënë, mirëpo ne e dimë po ashtu që është një vendim i Kuvendit Komunal, i cili e ridestinon këtë objekt për objekt hotelier. Ne si Drejtori e kemi për obligim që vendimet e Kuvendit t’i zbatojmë. Ato janë ligje për ne. Krahas kësaj është e rëndësishme që ne të funksionalizojmë atë pjesë të Komunës që ka potencialin më të madh turistik e që është zona e Liqenit të Batllavës”, ka theksuar Pajtim Balaj. “Objekti në fjalë është i ndërtuar në masë të madhe, duhet shumë pak investim për të funksionalizuar dhe funksionalizimi i tij ne besojmë që do të sillte të hyra të mira për Komunën dhe do t’ia kthente namin që dikur kishte Liqeni i Batllavës si një atraksion i madh turistik, jo vetëm për Komunën e Podujevës por për gjithë regjionin e Prishtinës”.
Balaj nuk e konsideron shkelje të propozimit që të shndërrohet në strehimore për viktimat e dhunës në familje, pasi, sipas tij, ekzekutivi është i obliguar të zbatojë vendimin e Kuvendit Komunal që ai objekt të jepet për shërbime hoteliere, ose rekreative-shëndetësore.
“Nuk mendoj që është, sepse ne nuk kemi bërë një zotim, ne kemi bërë një propozim i cili nuk ka kaluar në Kuvend dhe kemi vendimin e Kuvendit i cili është votuar prej shumicës së anëtarëve të Kuvendit, i cili është në fuqi dhe duhet zbatuar dhe konsiderojmë që është në interesin qytetar. Potenciali më i madh turistik në Komunën tonë është në Liqenin e Batllavës dhe ne duhet ta përdorim, pa lënë anash kërkesën dhe nevojën për t’u trajtuar gratë të cilat janë subjekt i dhunës në familje dhe përgjithësisht pozita e gruas në shoqërinë tonë për të cilën ne si qeverisje e kemi dëshmuar tashmë”, ka thënë ai.
As Balaj nuk ka mund të premtojë që objekti të mund të funksionalizohet para zgjedhjeve të muajit tetor.
“Unë nuk mund të premtoj, për shkak se jo gjithçka varet nga ne, nuk dimë se a do të ketë ofertues, nuk e di sa do t’u marrë kohë, nëse veç mund të ketë ofertues dhe zgjidhet ndonjë fitues. Por një pjesë e opozitës i ka pasur 20 vjet për ta funksionalizuar dhe ka dështuar që ta bëjë këtë”.
Ky objekt i cili ka dhoma të fjetjes, kuzhinë, restorant, pishinë, sallën e konferencave dhe hapësira të tjera, ka nisur të ndërtohet në vitin 2002 dhe si iniciues UFORK-u kishte investuar 230 mijë euro, ndërsa Qeveria e Kosovës rreth 400 mijë euro dhe Komuna e Podujevës 150 mijë euro. Për shkak të mosfunksionalizimit ai ka filluar edhe të dëmtohet.