Arbëri

Përfundimisht më 2021 s’ka Mbrëmje të Maturës

Descriptive Text

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka konfirmuar se sivjet s’do të lejohet mbajtja e Mbrëmjeve të Maturës për gjimnazistët.

“Sa i përket organizimit të mbrëmjeve të maturës dhe ekskursioneve, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) i ka njoftuar komunat me kohë se, bazuar në vendimin në fuqi të Qeverisë së Kosovës, ato nuk mund të organizohen këtë vit. Siç e dini, për maturantët viti shkollor ka përfunduar me 2 qershor. MASHTI nuk ka marrë asnjë kërkesë zyrtare për organizimin e mbrëmjeve të maturës meqë komunat kanë qenë të njoftuara me kohë se këtë vit nuk do të lejohen”, thuhet në një përgjigje që kjo ministri ka dhënë të martën për KOHËN.

Që nga 11 qershori, pas rënies së rasteve me COVID-19, në Kosovë nisën raportimet se gjimnazistëve do t’u lejohet mbajtja e aktiviteteve në fund të klasës së 12-të.

Në një përgjigje, edhe Drejtoria Komunale e Arsimit në Prishtinë ka thënë se s’ka dhënë asnjë leje për mbajtjen e Mbrëmjes së Maturës për gjimnazistët.

Drejtoresha e Arsimit në kryeqytet, Shpresa Shala, ka bërë të qartë se për vendime të tilla duhet të vendosë Qeveria e Kosovës.

“DKA nuk ka dhënë leje dhe as nuk jep leje të tilla për organizime të mbrëmjeve të maturës. Përderisa nuk ka ndryshime në vendimet e Qeverise, shkollat nuk mund të organizojnë tubime të cilat janë të ndaluara për shkak të masave anti-COVID. Në momentin që do të ketë lirim të masave me ndonjë vendim nga Qeveria, prapë DKA nuk lëshon leje, sepse shkollat i kanë në planifikime aktivitetet ekstra-kurrikulare dhe në bazë të planifikimeve i realizojnë aktivitetet duke u bazuar në vendime të nivelit qendror. DKA nuk është kompetente të nxjerrë vendime të tilla”, ka thënë Shala për KOHËN.

Për datën 15 qershor, sot, ishte bërë e ditur se do të ketë rishqyrtim të masave dhe ishte paralajmëruar lehtësim i mëtejmë për disa kategori, nëse vazhdon rënia e rasteve të reja me COVID-19.

Aktualisht në vend janë 238 raste aktive me koronavirus.