Arbëri

Stacioni i Autobusëve në Gjilan transformohet në ndërmarrje publike lokale

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri dhe drejtori i Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Valon Tolaj, kanë nënshkruar sot marrëveshjen e bashkëpunimit për transferimin e NSH “Kosovatrans” në Ndërmarrje Publike Lokale “Stacioni i Autobusëve”.

“Transferi po bëhet nga ndërmarrja shoqërore në ndërmarrje publike lokale dhe sot praktikisht mbyllet çështja e Stacionit të Autobusëve të Gjilanit dhe janë bartur të gjitha çështjet që lidhen edhe me asetet e me problemet tjera pronësore që kanë qenë. Nuk ka qenë proces i lehtë dhe jemi shumë të kënaqur me këtë arritje”, ka thënë Haziri, pas ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjes.

Kurse Tolaj ka thënë se pas nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje AKP-ja nuk ka më asnjë obligim ligjor në menaxhimin dhe administrimin e kësaj ndërmarrjeje.

“Ka një kohë të gjatë që ligji ka hapur rrugë që për ndërmarrjet shoqërore për ‘Kosovatransat’ duhet të përgatitet infrastruktura ligjore që të kalojnë tek Komunat. Sot po e përmbyllim këtë proces me njërën nga komunat – Gjilanin. Nga sot, me nënshkrimin e këtij memorandumi, praktikisht AKP nuk ka më asnjë obligim ligjor në menaxhimin dhe administrimin e kësaj ndërmarrjeje”, ka thënë Tolaj.