3 perditesime
23:16

Muharremaj: AAK-ja këtë herë do të ketë më shumë komuna se çdo herë tjetër

Kryetari i komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, i cili edhe në zgjedhjet lokale këtë vit do të jetë kandidat i AAK-së për këtë komunë, është shprehur i sigurt për fitoren e tij.

Ai në Interaktiv të KTV-së ka thënë se nuk beson se si në zgjedhjet e kaluara, edhe këtë herë do të ketë balotazh në Suharekë.

Muharremaj është shprehur se AAK-ja do të ketë më shumë komuna nënë udhëheqje këtë herë.

“Ju garantoj se AAK-ja këto zgjedhje do të ketë ndoshta më shumë komuna se çdo herë tjetër”, ka thënë ai.

Ai ka folur pak edhe për largimet nga AAK-ja, për të cilat u përgjigj vetëm se në parti ka pasur edhe shumë prurje të reja.

23:13

Muharremaj: Kemi investuar 1.1 milionë euro në memorialët e dëshmorëve

Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, ka thënë se gjatë tri vjetëve janë investuar 1.1 milionë euro në memorialët e dëshmorëve të luftës.

Muharremaj në Interaktiv të KTV-së ka thënë se asnjë kryetar komune nuk ka investuar më tepër.

“Për këto tri vjet asnjë komunë nuk ka bërë më shumë. Kemi investu 1.1 milionë euro në varrezat e dëshmorëve, Memorialin e Berishëve, Kullën e Dëshmorëve në Bllacë, shtëpi-muzeun e Fadil Vatës, lapidarin në Zllapuzhan, lapidarin në fshatin Semetishtë e kemi rinovuar shumë lapidarë tjerë. Kompleksi memorial i familjes Berisha ka përfunduar, është lëshuar. Është në fazën përfundimtare projekti i varrezave të dëshmorëve, edhe i varrezave të dëshmorëve të batalionit 60 të komandant Gurit. Në total janë investuar 1.1 milionë euro, me buxhet të komunës e donacione. Varet qysh din me u gjet kryetari i komunës. Kemi arrit me kry këtë punë”, ka thënë Muharremaj.

23:06

Muharremaj thotë se ka punuar shumë gjatë këtij mandati si kryetar i Suharekës

Kryetari i Suharekës, Bali Muharremaj, ka thënë se do të ketë shumë risi në programin e ri katër-vjeçar, me të cilin do synojë ta fitojë edhe një mandat.

Muharremaj në ‘’Interaktiv’’ të KTV-së nuk shpalosi detaje për programin, pasi tha se një gjë të tillë do ta bëjë pasi të ketë përfunduar plotësosht.

‘’Ne kemi krijuar një ekip që është duke punuar për programin katër-vjeçar. Do të ketë risi. Nuk do doja ta shpalosja tani, pa qenë përfundimtar. Fokusi do të jetë për një ambient të pastër, zhvillim ekonomik, do të ndihmojmë krijimin e zonës industriale në Biraq, pasi ajo në Shirokë veçse ka përfunduar’’, u shpreh ai.

Muharremaj u lavdërua për punët që ai i ka kryer si kryetar i Suharekës në këtë mandat, duke thënë se ka kaluar jashtë pritshmërive.

‘’Ka shumë projekte që nuk i kam premtuar, por kam arritur t’i realizoj. Ne me buxhet komunal, kemi ndërtuar shkollë, kemi ndërtuar palestër sportive. Atë çka e kemi premtuar në arsim, e kemi realizuar’’, deklaroi Muharremaj.

23:04

Muharremaj thotë se s’e ka realizuar vetëm një premtim si kryetar i Suharekës

Bali Muharremaj, kryetar i Suharekës, ka thënë se në mandatin e kryetarit të kësaj komune, nuk e ka realizuar vetëm një nga 20 premtimet që pati dhënë në fushatën elektorale të zgjedhjeve të 2017-s. Sipas tij, kjo ka të bëjë me themelimin e një ndërmarrjeje që do të merrej me ujërat e zeza.

“Prej 20 premtimeve besoj vetëm një s’e kam realizuar. Kjo pshtë pasi që një person kur kandidon për herë të parë, nuk mund t’i dijë të gjitha gjëra. Derisa është “Hidroregjioni” si kompani shtetërore publike, s’kemi të drejtë të krijojmë kompani tjetër”, ka thënë ai në Interaktiv të KTV-së, teksa ka pranuar se si komunë u është shfaqur në disa fshatra problemi me kanalizim.

Muharremaj ka thënë se edhe premtimi i tij që s’do të ketë mjek të papunë në këtë komunë është përmbushur. Megjithatë, ai ka shtuar se specializantët që kanë shkuar në Prishtinë kanë shkaktuar telashe në Suharekë me mungesë stafi. Megjithatë, ka thënë se “do t’i mbulojmë edhe ato”.