Arbëri

Protestë në Mitrovicë: Thoni emrat e përdhunuesve dhe ngacmuesve seksualë

Descriptive Text

Me moton “Thoni emrat e përdhunuesve dhe ngacmuesve seksualë”, dhjetëra aktivistë të organizatës joqeveritare “Unë jam zani yt”, përfaqësues të institucioneve, shoqërisë civile, si dhe qytetarë, kanë protestuar sot në Mitrovicë kundër ngacmimeve seksuale kundër vajzave dhe grave që kanë ndodhur kohët e fundit.

Protestuesit mbanin në duar pankarta me mbishkrimet “Thoni emrat e përdhunuesve e ngacmuesve seksualë”, “Ngacmimi seksual është krim”, “Ne s’jemi vetëm, kemi njëra-tjetrën” dhe të ngjashme.

Arnela Hajra, aktiviste e OJQ-së tha se për vajzat e gratë në Kosovë asnjë vend nuk është i sigurt. Sipas saj, dhunuesit janë në të gjitha institucionet, duke nisur prej familjes, shkollës, policisë, dhe institucioneve më të larta shtetërore.

“Ne jemi dëshmitare që vajzat dhe gratë po ngacmohen e dhunohen seksualisht e po vriten çdokënd nëpër Kosovë. Po ngacmohen e dhunohen nga djem e burra rrugës, në shtëpi, nga profesorë, punëdhënës, policë, zyrtarë komunalë e qeveritarë. Për vajzat e gratë në Kosovë asnjë vend nuk është i sigurte. Ne e dimë fare mirë kush janë dhunuesit tanë. Dhunuesit tanë janë të gjitha institucionet, duke nisur prej familjes, shkollës, policisë, institucioneve më të larta shtetërore, të cilët vazhdojnë të prodhojnë e ushqejnë kriminelë. Ne sot nga këtu, themi se dhunës fizike, ekonomike, psikologjike, dhe pasigurisë së thellë të grave duhet t’i vjen fundi. Andaj edhe ne kemi vendosur të mos heshtim më dhe ta vazhdojmë rezistencën tonë të përditshme duke luftuar këtë sistem të kalbur patriarkal”, ka thënë Hajra për KSP.

Gentiana Morina, po ashtu aktiviste ka bërë të ditur se po protestojnë për të dëshmuar se janë bashkë me të gjitha vajzat viktima dhe se ato nuk janë vetëm, derisa të ketë drejtësi për secilën prej tyre.

“Ne jemi këtu për veten tonë dhe për të gjitha vajzat dhe gratë që frikësohen të dalin rrugëve, të shkojnë në shkollë e të punojnë, prej burrave ngacmues dhe sulmues seksualë dhe të qëndrojmë krah njëra tjetrës derisa për secilën vajzë e grua të ketë drejtësi”, theksoi Morina.

Në anën tjetër, avokati Musa Damati, potencoi se kategoria e veprave penale kundër integritetit seksual është e rregulluar me nenin 20 të kodit penal të Kosovës. Sipas tij, për kryesit potencialë të këtyre veprave, përcaktohet dënim me burgim deri në 20 vite. Ai shtoi se infrastruktura legjislative penale sa i përket kësaj çështjeje është mjaft e mirë në Kosovë, vetëm se organet e ndjekjes duhet të vihen në funksion dhe mbrojtje të pa kompromis të kësaj kategorie.

“Duke u bazuar në dispozitat relevante të përcaktuara me nenin 20 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, rregullohet kategoria e veprave penale kundër integritetit seksual. Dhe bazuar në dispozitat relevante përcaktohet sanksion penal, serioz dhe i lartë për kryesit potencialë të këtyre veprave. Përkatësisht përcaktohet sanksion penal dënim me burgim deri në 20 vite për kryesit e mundshëm të kësaj kategorie të veprave penale. Andaj, vlerësoj se infrastruktura legjislative penale është mjaft e mirë në Kosovë vetëm se organet e ndjekjes duhet të vihen në funksion dhe mbrojtje të pa kompromis të kësaj kategorie dhe të këtij domeni inkriminues penal”, u shpreh për Damati.

Së fundmi, vendi është tronditur nga rasti i një të miture që ishte ngacmuar seksualisht pranë një shkolle fillore në Prishtinë duke nxitur reagime të shumta, përfshirë edhe protesta në kryeqytet duke kërkuar përfshirjen e edukatës seksuale në kurrikulat shkollore.