Arbëri

DFK e quan joligjore ndarjen e bursave, Komuna arsyetohet se s’ka pasur zgjidhje tjetër

I kundërligjshëm e diskriminues po konsiderohet vendimi për ndarjen e bursave për nxënës dhe studentë në Komunën e Podujevës.

Drejtori ekzekutiv i OJQ “Demokracia Fillon Këtu” (DFK), Shemsi Jashari, ka kërkuar që të anulohet ky vendim që ka përjashtuar nga gara nxënësit e studentët shembullorë.

Komuna e Podujevës ditën e premte ka publikuar listën e përfituesve të bursës për nxënës dhe studentë dhe sipas DFK-së, përfitues janë vetëm ata nxënës e studentë që janë me aftësi të kufizuar, që nuk e kanë njërin prind dhe ata me asistencë sociale. E sipas Jasharit, me këtë vendim, Komuna i ka shkelur kriteret e konkursit.

“Gjatë ditës së premte me 14.05.2021 është bërë publikimi i rezultateve në lidhje me përfituesit e bursës komunale për studentë dhe nxënës të shkollave të mesme. Ajo çfarë kemi parë në këtë publikim është joligjore dhe joprofesionale. Janë shkelur kriteret e vendosura nga vetë Drejtoria e Arsimit në konkursin e shpallur, u është bërë e padrejtë nxënësve me sukses shembullorë, pasi s’janë marrë për bazë pikët sipas suksesit. Kjo është e papranueshme dhe duhet të korrigjohet duke anuluar konkursi”, ka thënë nëpërmjet një reagimi Shemsi Jashari. “Në këtë listë përfitues janë vetëm studentët pa njërin prind, me asistencë sociale dhe ata me aftësi të kufizuara, d.m.th. në bazë të listë së shpallur nuk gjendet asnjë student i kategorisë tjetër që plotëson kriteret përkatëse për të qenë përfitues. Komuna e Podujevës me këtë vendim ka diskriminuar dhe ka bërë padrejtësi ndaj studentëve tjerë që i kanë plotësuar kriteret formale dhe nuk janë përfitues të bursës”.

Drejtori ekzekutiv i DFK-së ka theksuar se rastet sociale duhet të mbështetën në forma tjera dhe jo duke dëmtuar nxënësit e shkëlqyeshëm.

“Në ditët në vijim do të kërkojmë qasje në dosjen e komisionit për ndarjen e bursave për të parë në detaje këtë proces”, ka thënë ai.

Në anën tjetër drejtori për Arsim, Avni Fetahu, e ka arsyetuar këtë me buxhetin e limituar për bursa.

“Me keqardhje dua t'ju njoftoj se kësaj here përfitues janë vetëm studentët dhe nxënësit që i takojnë tri kategorive: ata që janë me asistencë sociale, ata që nuk e kanë njërin prind dhe studentët/nxënësit me aftësi të kufizuar. Arsyeja e vetme pse është bërë kjo përzgjedhje është se kemi pasur 1818 aplikime nga ana e studentëve dhe nxënësve, ndërsa buxheti ka qenë shumë i limituar dhe ka qenë e pamundur të bëhet një përzgjedhje tjetër”, ka theksuar Avni Fetahu.

Nga aplikuesit e këtyre bursave ka pasur vërejtje edhe për vonesën e publikimit të listës me përfitues.

“Përkundër përpjekjes tonë maksimale (arsyeja pse janë vonuar rezultatet) që t'ju ndahet bursa më meritorëve kanë qenë shumë studentë dhe nxënës me rezultate të njëjta, andaj për të mos diskriminuar asnjërin e kemi vlerësuar si rrugë më të drejtë për t'ju ndarë bursa kësaj radhe vetëm këtyre kategorive që janë më të cenueshme dhe kanë më shumë nevojë për mbështetje. Ju kërkoj ndjesë të gjithë studentëve/nxënësve që nuk ishte e mundur të ndahen bursa për ta kësaj radhe”, ka thënë drejtori për Arsim.

Vërejtje për listën me përfitues ka pasur edhe nga ana e aplikuesve, por të njëjtit nuk kanë dashur të deklarohen edhe për media.

Buxheti për këto bursa ka qenë 50 mijë euro, ndërsa shuma e një burse ka qenë 400 euro për studentë dhe 200 për nxënës.

Në këtë konkurs përfitues të bursës janë 58 studentë dhe 118 nxënës.