Arbëri

Podujeva synon t’i japë fund shitjes në rrugë, tregtarët kërkojnë mbulimin e qirasë

Zyrtarët komunalë të Podujevës po synojnë që ta funksionalizojnë Tregun e gjelbër, i cili tash për tash shfrytëzohet pothuajse vetëm ditëve të shtuna, ndërkohë që shumë tregtarë i ekspozojnë mallrat e tyre në rrugë e trotuare.

Në një takim ndërmjet komunarëve dhe tregtarëve është thënë se me funksionalizimin e tregut synohet t’i jepet fund shitjes në rrugë.

“Drejtori i Planifikimit dhe Zhvillimit Ekonomik, Pajtim Balaj tha se qëllimi i këtij takimi është të diskutojmë dhe të nxjerrim idetë më të mira për funksionalizimin e Tregut të Gjelbër dhe përmes kësaj t’i japim fund shitjes në skajet e rrugëve, të cilat paraqesin rrezik dhe shumë herë edhe pengojnë komunikacionin dhe veprimtaritë tjera”, thuhet në një njoftim të Komunës së Podujevës.

Sipas të njëjtit, tregtarët pjesëmarrës në takim nga sektori i pemëve dhe perimeve, por edhe të veprimtarive tjera kanë kërkuar nga përfaqësuesit e ekzekutivit të ndërmerren hapat e nevojshëm për mbulimin e qirave, për lokalet e ndara për ta vite më parë, e që nuk janë̈ funksionalizuar asnjëherë.

“Në takim, po ashtu u kërkua nga komuna që të krijohet mundësi e barabartë për të gjithë shitësit, si dhe të sigurohet një lokacion i përshtatshëm ku do të mund ta zhvillonin veprimtarinë e tyre edhe shitësit të cilët në treg dalin vetëm ditën e shtunë, në mënyrë që mos të paraqesin pengesë gjatë ushtrimit të veprimtarisë së tyre. Përfaqësuesit e ekzekutivit u zotuan se bazuar në idetë që dolën nga takimi dhe në kompetencat e komunës në ditët në vijim do të ndërmerren veprimet e nevojshme për të cilat do të njoftohen edhe përfaqësuesit e bizneseve në fjalë”, thuhet tutje në njoftim.

KOHA ka raportuar edhe në muajin janar për mosfunksionalizimin e Tregut të gjelbër. Tregtarët që e ekspozojnë mallin nëpër trotuare e rrugë i kishin thënë KOHËS se njëra prej arsyeve që nuk futen në treg është për shkak se i njëjti nuk është përfunduar dhe se aty nuk ka as tualete.

Edhe nënkryetarja e Komunës së Podujevës, Marigona Lahu, kishte thënë se në këtë treg mungon infrastruktura bazë për operimin e tregtarëve.

“Tregu i gjelbër është përfunduar realisht në vitin 2017 dhe është përuruar në fushatën zgjedhore të vitit 2017, konkretisht në zgjedhjet lokale të atij viti. Fatkeqësisht edhe pas më shumë se 3 viteve ai treg ka mbetur jofunksional. Fatkeqësisht në atë treg mungon infrastruktura bazë për operimin e tregtarëve”, kishte thënë Marigona Lahu.

Nënkryetarja e Komunës së Podujevës ka theksuar se fillimisht do të shohin gjendjen e këtij tregu dhe pastaj do të ndërmarrin hapat tjerë për përmirësimin e gjendjes aty dhe vendosjen e tregtarëve në treg.

Ndërtimi i tregut të gjelbër ka përfunduar në vitin 2017 dhe ka kushtuar afro 50 mijë euro, 10 mijë prej të cilave i ka investuar Instituti RIINVEST.

Image