Arbëri

Komuna e Prizrenit planifikon afër 53 milionë euro për buxhetin e vitit 2022

Descriptive Text

Komuna e Prizrenit ka planifikuar që në buxhetin e vitit të ardhshëm të ketë afër 5 milionë euro më shumë mjete sesa në buxhetin e këtij viti. Sipas zyrtarëve komunalë kjo rritje do të reflektohet sidomos në kategorinë e investimeve kapitale, ku parashihen 4.7 milionë euro më shumë sesa në buxhetin e vitit 2021.

Drejtoresha për Ekonomi dhe Financa në Komunën e Prizrenit, Leonora Çerreti ka bërë të ditur se kjo komunë ka filluar mbajtjen e dëgjimeve publike lidhur me Kornizën Afatmesme Buxhetore 2022-2024, ani pse ende nuk e ka pranuar qarkoren buxhetore nga Ministria e Financave.

“Mirëpo nga viti i kaluar i kemi kufijtë buxhetorë, të cilët shumë pak mund të kenë ndryshime”, ka thënë ajo, në hapje të dëgjimit publik të mbajtur në sallën e KK-së, ku qytetarët kanë pasur mundësinë të lidhen edhe përmes platformave online.

Çerreti para të pranishmëve ka shpjeguar se buxheti komunal në vitin 2021 është 47 milionë e 788 mijë euro, ku mbi 40 milionë janë nga granti qeveritar dhe 7.5 nga të hyrat vetjake.

“Në vitin 2022 planifikohet që nga të hyrat e grantit të përgjithshëm Komuna të ketë 44 milionë e 886 mijë euro, kurse për vitin 2023, 46 milionë e 195 mijë euro. Kurse nga të hyrat vetjake presim të kemi një rritje, ku në vitin 2022 do të kemi 7.9 milionë euro dhe për vitin 2023 rreth 8.2 milionë euro... Në total buxheti i Komunës së Prizrenit për vitin 2022 do të jetë 52 milionë e 874 mijë euro, kurse në vitin 2023 do të jetë 54 milionë e 400 mijë euro”, ka thënë ajo. Sipas saj në vitin e ardhshëm rritja e buxhetit total do të jetë 11 për qind, derisa anë vitin 2023 do të jetë 3 për qind.

Ajo ka dhënë sqarime lidhur parashikimet për kategoritë e ndryshme buxhetore, duke theksuar se te subvencionet do të ketë një rritje të lehtë, derisa rritja më e madhe sipas saj do të jetë te investimet kapitale. "Kategoria që ka shënuar një rritje më të dukshme është ajo e investimeve kapitale, ku për vitin 2022 do të kemi rreth 22 milionë euro dhe në vitin 2023 do të jetë 24 milionë”, ka deklaruar ajo.

Në anën tjetër përfaqësues të organizatave të ndryshme të shoqërisë civile, sikurse edhe qytetarët kanë adresuar propozimet dhe kërkesat e tyre lidhur me projektet dhe shërbimet komunale.

Besim Kodra nga Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë teksa ka rikujtuar obligimet e Kujdesit Parësor Shëndetësor për edukimin qytetar, ka shtruar pyetjen se përse Drejtoria e Shëndetësisë nuk është përfshirë në shpërndarjen e fondeve për OSHC-të që do ta rrisnin vetëdijen e qytetarëve për sëmundjet ose vetmenaxhimin e sëmundjes, “sidomos në kohë pandemie, kur është i nevojshëm edukimi qytetar, ku e kemi parë se pa bashkëpunim qytetarë-institucione është e pamundur të menaxhohet pandemia”. Njëherësh ka shprehur brengën edhe për ndalimin e dhënies së infuzioneve për pacientët në Kujdesin Parësor Shëndetësor.

Ndërsa Visar Haxhifazliu nga OJQ “Thy” ka propozuar krijimin e një kodi buxhetor vetëm për rininë, ku sipas tij për vitin 2022 duhet të planifikohen 50 mijë euro me mundësinë për rritje në vitet e ardhshme. Në të njëjtën kohë ka kërkuar që Komuna të planifikojë mjete edhe për ndërtimin e qendrave rinore, sikurse edhe për mbulimin e shpenzimeve operacionale të tyre.

Haki Rashtana ka kërkuar që shërbimet e KPSH-së të jenë më afër të moshuarve sidomos në kohë pandemie, dhe ka përsëritur kërkesat e shprehura edhe në vitet e shkuara, sikurse që janë intervenime të caktuara në varrezat e qytetit, rregullimin e trotuarit në rrugën “Remzi Ademaj”, dhe ndërtimin e Qendrës Kulturore Turke.

Ramush Rushiti ka propozuar rregullimin e shtimin e infrastrukturës në objektet sportive, pasi sipas tij ka një stërngarkim në këtë fushë.

Përmes adresimit online, qytetarët kanë shprehur edhe kërkesa tjera sikurse rregullimi i varrezave të dëshmorëve në Zhur, zgjidhja e problemit të ujit të pijes në Zhur, funksionalizimi i Shtëpisë së Kulturës në Zhur, etj. Për disa prej çështjeve të ngritura janë ofruar përgjigje nga zyrtarët komunalë.

Drejtoresha e DEF-it, Leonora Çerreti në mbyllje të këtij takimi ka theksuar se do të organizohen edhe

Dëgjime tjera publike, ku po ashtu do të merren propozimet dhe kërkesat e qytetarëve lidhur me projektet dhe shërbimet komunale.