Arbëri

Në Shalë të Lipjanit kërkohet rinovimi i ish-objektit të Shtëpisë së Shëndetit

Descriptive Text

Për mungesën e një çerdheje publike dhe një qendre rinore po ankohen banorët e fshatit Shalë dhe disa lokaliteteve përreth në Komunën e Lipjanit.

Ata thonë se komunarëve ua kanë adresuar disa herë kërkesën që ish-objekti i Shtëpisë së Shëndetit të rinovohet dhe të shfrytëzohet në këtë drejtim, por që nuk kanë marrë përgjigje.

Ky objekt prej afro dhjetë vjetësh është demoluar dhe ka mbetur i boshatisur.

Ata thonë se Shala me 4 mijë banorë është një ndër lokalitetet më të mëdha të Komunës.

“Këtu mund të bëhet një çerdhe në të cilën përfitojnë banorët e fshatit apo rinia, sidoqoftë i kisha bërë apel komunës që të na ndihmojë kësaj radhe”, thotë banori Nazmi Hetemi.

Për gjendjen e këtij objekti ka shprehur shqetësime edhe familja Drenica, e cila pas luftës ia kishte dhuruar Komunës pronën e vet, me qëllim që banorët ta kenë një Shtëpi të Shëndetit.

“Këtu e kemi liruar si familje e Hajriz Drenicës, pasardhësit e tij jemi ne, është ndërtuar ambulantë e fshatit, mirëpo ambulanta kaloi në një vend tjetër më të mirë edhe këtu mbeti e braktisur dhe nuk është shfrytëzuar për asgjë. Edhe sot e kanë thyer dhe demoluar njerëzit e pa ndërgjegjshëm”, deklaron Faik Drenica.

Leutrim Pajaziti, përfaqësues i organizatës “Vizioni Rinor i Shalës”, ka thënë se disa herë kanë bërë kërkesa në Komunë që ky objekt të rinovohet dhe të hapet një Qendër Rinore, mirëpo deri më tash kërkesat e tyre nuk janë shqyrtuar.

“Ne nuk kemi një hapësirë që iu dedikohet të rinjve dhe normalisht ne duhet të udhëtojmë rreth 30 kilometra për Lipjan ose Prishtinë për të marrë pjesë në ndonjë aktivitet ose për ta realizuar. E kjo , normalisht në mungesë të një hapësire e cila do t’i dedikohej të rinjve të fshatit Shalë dhe të këtij rajoni”, tha Pajaziti.

E zëdhënësi i Komunës, Diamant Bytyqi, nëpërmjet një përgjigjeje me shkrim, ka thënë se ky objekt nuk i plotëson kushtet teknike për rinovim, prandaj Komuna ka planifikuar ndërtimin e një objekti të ri për çerdhe publike.

“Objekti i ish-Shtëpisë së Shëndetit në Shalë është e vërtetë që është në gjendje të papërdorshme e këtë gjë e kanë vlerësuar edhe inxhinierët e Komunës së Lipjanit. Objekti aktual i Shtëpisë së Shëndetit nuk i plotëson kushtet teknike për rinovim, prandaj në planifikimin e Komunës ka hyrë ndërtimi i çerdhes së re në fshatin Shalë e jo rinovimi i këtij objekti.

Në kornizën afatmesme buxhetore është paraparë ndërtimi i çerdhes së re.

Ekzekutivi është i angazhuar të gjejë burime financiare për financimin e projektit të çerdhes, në rast të rishikimit buxhetor apo edhe sipas mundësive të bashkëfinancimeve të ndryshme mund të hyjmë edhe gjatë këtij viti në këtë agjendë nëse na lejojnë mundësitë buxhetore.

Nëse ky objekt paraqet shqetësim për banorët e fshatit Shalë, atëherë do të shikohen mundësitë se si mund të mbyllet më mirë ose edhe të bëhet rrënimi i tërësishëm i këtij objekti. Kjo gjithsesi duhet të bëhet në konsultim me banorët e fshatit Shalë dhe me ekspert të këtij lëmi”, thotë Bytyçi.

Sipas tij, nëse ky objekt paraqet shqetësim për qytetarët atëherë mund të rrënohet tërësisht.