Arbëri

AAK-ja bën fushatë në Podujevë, Tahiri premton “treg modern”

Kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për kryetar të Komunës së Podujevës, Besnik Tahiri, ka nisur fushatën për të parin e kësaj komune, gati gjysmë viti para zgjedhjeve lokale. Në një postim në Facebook, Tahiri të shtunën ka premtuar “treg modern”.

Tahiri ka thënë se nëse ai fiton Podujevës do t’i krijohet një hapësirë që punëtorët e tregtisë e prodhues të vegjël dhe të mesëm të plasojnë produktet e tyre.

“Ajo si është sot, është e pamjaftueshme, është e padinjitetshme dhe është hapësirë që nuk krijon treg të mjaftueshëm. Në mandatin 2021-2025, një hapësirë, treg modern, i cili do të bëhet adresë e prodhuesve llapjanë të bujqësisë, blegtorisë, mirëpo edhe të artizanateve dhe produkteve tjera, duhet të jetë bazamenti i një adrese për zhvillim ekonomik lokal dhe për punësim. Duhet të punohet që produkti që prodhohet në Llap, të plasohet në kryeqytet, në gjithandej Kosovën, në Shqipëri, e pse jo në Kroaci dhe vende të BE-së. Është detyrë e kryetarit të Komunës që të kujdeset për të gjithë barabar, të kujdeset që pjesa e derdhur në ara e fusha, në bujqësi e blegtori, në artizanat e kulturë, të plasohet në formën më të dinjitetshme dhe moderne. Këtë do ta bëj!”, ka shkruar ai.

Podujeva në fund të vitit do t’i nënshtrohet zgjedhjeve vetëm një vit pas atyre të jashtëzakonshme kur fitoi Shpejtim Bulliqi, pas largimit të Agim Veliut për t’u bërë ministër.