Arbëri

Prizreni synon vendosjen e standardeve në autoparkingjet publike e private

Hapësirat publike, që shfrytëzoheshin si autoparkingje në Prizren, vazhdojnë të shërbejnë për parkimin e automjeteve, megjithëse nuk ka menaxhim të tyre, që prej muajit dhjetor të vitit 2019, kur ishte bërë lirimi i tyre si rrjedhojë e skadimit të kontratave të operatorëve ekonomikë.

Autoritetet lokale kanë bërë të ditur se çështja e menaxhimit të parkingjeve në hapësira publike do të trajtohet pas aprovimit të Rregullores për parkingjet, që përcakton standardet si për autoparkingjet publike ashtu edhe për ato në pronat private.

“Nga sot bëhet hapja e debatit publik për Rregulloren për parkingje. Në qytetin tonë kemi shumë probleme me parkingje, shfrytëzimin e tyre. Komisioni për hartimin e rregullores ka punuar duke marrë parasysh të gjitha problematikat, të cilat lidhen me parkingjet. Së pari do të rregullohen hapësirat publike, por edhe ato private, ku do të zhvillohet veprimtaria e parkingjeve”, ka thënë kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka.

Sipas tij, ende nuk është përcaktuar çështja e menaxhimit të parkingjeve në pronën publike.

“Ne nuk kemi përkufizuar mënyrën e menaxhimit të pronave publike, dhe do të vazhdojmë me këtë pikë pas aprovimit të Rregullores për parkingje, dhe besoj se do të kemi mënyrë të re të menaxhimit”, ka deklaruar Haskuka.

ka pohuar se propozim-rregullorja për parkingjet do të jetë e hapur për diskutim publik gjatë dy javëve të ardhshme, dhe u ka bërë thirrje të gjithë hisedarëve që t’i ofrojnë komentet e sugjerimet e tyre për këtë politikë publike.

“Në këtë rregullore është paraparë korniza se si do të rregullohen parkingjet, por edhe të hyrat se si do t’i realizojë komuna nëpërmjet parkingjeve publike të cilat i ka”, është shprehur Haskuka.

Ndërkaq, drejtori i Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor, Beni Kizolli, ka pohuar se me propozim-rregulloren në fjalë parashihet që për të dyja llojet e parkingjeve, qoftë në prona private, qoftë në prona publike, “rregullimi të jetë i njëjtë, me standarde të njëjta”.

“Ndërsa për hapësirat publike, lidhur me menaxhimin i kemi lënë dy mundësi, duke mundësuar menaxhimin privat ose përmes ndërmarrjeve publike. Por kjo do të vendoset pas miratimit të rregullores në fjalë”, ka thënë Kizolli.

Ai ka pohuar se hartimi i propozim-rregullores për parkingje ka ardhur si nevojë e kohës dhe kërkesave të vazhdueshme, dhe se përmbajtja do të prezantohet gjatë diskutimit publik, të paraparë sipas legjislacionit në fuqi.

Në dhjetor të vitit 2019, Drejtoria e Inspektorateve pati ndërmarrë veprime për lirimin e parkingjeve, në pronën publike, ku si arsyetim ishte përmendur mungesa e bazës ligjore për vazhdimin e kontratave të shfrytëzimit me operatorët e ndryshëm, dhe në të njëjtën kohë ishte apeluar te qytetarët që të mos paguajnë për parkimin në hapësirat publike. Sipas të dhënave të Komunës, në mesin e operatorëve që kanë shfrytëzuar pronën komunale si parking ka pasur edhe të tillë që nuk i kanë kryer obligimet financiare ndaj Komunës, që kanë qenë të parapara me kontratat përkatëse, dhe se lëndët e tilla janë dërguar në procedurë të përmbarimit.

Në raportin financiar të Komunës së Prizrenit për vitin 2020, te tabela që pasqyron obligimet ndaj kësaj komune, figuron se vlera e borxhit të autoparkingjeve ndaj Komunës së Prizrenit është mbi 50 mijë euro. Drejtoresha për Financa në Komunën e Prizrenit, Leonora Çerreti, muajin e shkuar pati deklaruar se në bazë të vendimit të miratuar nga KK-ja, parashihet lirimi i një pjese të konsiderueshme të obligimeve që janë mbledhur në vitet e shkuara, ku te Drejtoria e Shërbimeve Publike në pjesën e autoparkingjeve parashihet të jenë gjithsej 15 përfitues, ku vlera totale e obligimeve sillet 53 mijë euro, me ç’rast 32 mijë euro falen me kusht që 21 mijë euro të paguhen deri në fund të qershorit të këtij viti.