Kosovë

Podujeva i bart afro 700 mijë euro të hyra vetjake

FOTO: KOHA
 

Kuvendarët e Podujevës e kanë miratuar propozim-vendimin për bartjen e 669 mijë e 619 euro të hyra vetjake që nuk janë shpenzuar gjatë vitit të kaluar. Megjithëse kanë qenë vetë në pushtet kur kanë mbetur këto mjete suficit, këshilltarët e LDK-së kanë abstenuar kur është hedhur në votim ky propozim. Drejtori për Buxhet dhe Financa, Fatlum Osmani, ka thënë se për disa projekte bartja po bëhet edhe për shkak të keqklasifikimit buxhetor.

“Janë katër projekte që janë miratuar nga Asambleja Komunale - projekti për meremetimin e hyrjeve banesore në vlerë prej 80 mijë eurove, ndërtimi i Shtëpisë së Shëndetit në Podujevë në vlerë prej 100,930 eurosh, ndërtimi i shtëpive në Lagjen e Dëshmorëve 100 mijë euro dhe blerja e druve dekorativë në vlerë prej 100 mijë eurosh”, ka thënë Osmani në ditën kur është diskutuar kjo pikë. “Të gjitha këto projekte në vlerë prej 380,930 eurosh nga Ministria e Financave janë vendosur te kategoria rezervë për arsye të ndryshme, qoftë për shkak të keqklasifikimeve buxhetore, qoftë për shkak të mosplotësimit të duhur në programet e investimeve publike që bëhen nga zyrtarët nga Drejtoria e Financave dhe Drejtoria e Zhvillimit Ekonomik, dhe për shkak të mos sqarimit edhe të disa çështjeve teknike janë dërguar në kategorinë rezervë. Tash është obligim ligjor që prapë t’i kthehemi Asamblesë Komunale në mënyrë që këto mjete nga kategoria rezervë të barten në projekte kapitale”.