Arbëri

Haskuka arsyeton punësimin e vajzës së axhës në Komunë

Descriptive Text

Kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka, e ka arsyetuar punësimin e vajzës së axhës në Komunë, pasi sipas tij, fillimisht ajo ishte praktikante e më pas në kohën kur mori mandati shpalli konkurs, ku ajo ka vazhduar punën e rregullt.

Haskuka po i përgjigjej pyetjeve të qytetarëve të Prizrenit në emisionin “038” të KTV-së, derisa e ka pranuar që vajza e axhës së tij është e punësuar në Komunën e tij.

“Nëse e shikojmë numrin e punësimeve në arsim, në shëndetësi dhe në të gjithë sektorët, atëherë statistikisht është e mundur. Po, ajo punon. Ajo ka qenë si praktikante, por pastaj ka vazhduar punën e rregullt. Ka qenë konkursi për në financa”, ka thënë Haskuka.

I pari i Prizrenit më tej kërkoi që epiteti i qytetit që ai drejton si “kryeqytet historik” të reflektojë edhe në buxhetin vjetor për Komunën nga niveli qendror.

“Kam kërkuar që kjo të reflektohet edhe në buxhet, dhe jo vetëm të ketë epitete. Të kemi buxhet për restaurimin e qendrave historike, pasi ato kushtojnë shumë. Ne jemi duke u munduar t’i mbrojmë ato shtëpi të vjetra, por nëse nuk i ndihmojmë edhe financiarisht qytetarët do të jetë e vështirë. Kam kërkuar nga Ministria e Kulturës të kemi një fond të përbashkët prej 10 milionë euro”, u shpreh ai.

Haskuka gjithashtu ka thënë se suficiti prej 20 milionë eurove ka ardhur si pasojë e nivelit qendror, pasi shtoi se Ministria e Financave nuk ka ekzekutuar disa borxhe që ka pasur Komuna jo në mandatin e tij.

Ai tregoi se Qendra e Mjekësisë Familjare në lagjen “Arbanë” do të përurohet në qershor.